Rama i gjithëpushtetshëm

Rama i gjithëpushtetshëm

Edi Rama e mori timonin e drejtimit të vendit i vetëm në 2017. Shumica socialiste tashmë nuk ishte e detyruar ti shtrinte dorën e  bashkëpunimit aleatëve që “e mbanin në pushtet”.

I vetëm në qeveri, e me një shumicë në kuvend, Edi Rama shfaqej komod në vendimmarrje dhe nismat e tij. Çdo nismë mund të kalonte në parlament pa patur nevojën e bisedimeve me forca të tjera politike.

Por puna ju lehtësua edhe më shumë me dorëzimin e mandateve nga opozita. Një opozitë e re që nuk ka forcën e kundërshtimit solli për Edi Ramën komoditetin në sallën e kuvendit. Tashmë nuk kishte nevojë për séance maratone apo përplasje me rivalë politik.

Reforma në drejtësi nisi zbatimin e saj me procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sondazhet në fakt tregojnë se besimi është thyer edhe ndaj këtij procesi. Komiteti i Helsinkit publikon shifrat tronditës, ku thotë se 63% e qytetarëve nuk kanë besim në procesin e Vetingut ndërsa ky proces akuzohet edhe për standarde të dyfishta.

Edhe drejtësia që sot në fakt është jashtë funksionit po shkon në duart e Edi Ramës akuzon opozita. Nuk ka gjykatë kushtetuese, piramida e drejtësisë po shkon drejt mosfunksionimit, e kjo sipas analistëve dhe opozitës jashtëparlamentare i leverdis vetëm Edi Ramës.

Votimet pa rivalë në 30 qershor i lanë në dorë gjithë pushtetin vendor socialistëve, fenomen që solli jo pak debat. Tashmë edhe bashkitë janë në duart e Edi Ramës.

Tashmë Edi Rama po zgjeron kontrollin edhe në pronën publike. Vendimi i pak ditëve më parë në kuvend për krijimin e korporatës shtetërore të investimeve i jep qeverisë të drejtë të ketë në dorë çdo pronë, me pretendimin se ajo duhet të përdoret për interesin publik.

Qeveria, parlamenti, pushteti lokal, drejtësia, prona publike të gjitha janë në një dorë, në dorën e Edi Ramës.


EMISIONET