E ardhmja e Kosovës dhe qëndrimet për shkëmbimin territorial ishin në qendër të forumit të organizuar nga Qendra e Sigurisë për Europën Juglindore, drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu në bashkepunim me Columbia University. Ndryshimi I kufijve është cilësuar një tezë e rrezikshme nga analistët ndërkombëtarë.

Qendra e Sigurisë për Europën Juglindore drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu në bashkepunim me drejtuesin e Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në universitetin kolumbian David Philips kane organizuar një forum për situatën dhe të ardhmen e integritetit territorial te Kosovës.

Në këtë konference ku morën pjesë qindra pjesëmarrës nga rajoni dhe vendet ndërkombëtare, analistët Daniel Server, David Philips dhe Michael Hatzel të njohur edhe si mbeshtetës të Kosovës e cilësuan ndryshimin e kufijve si një lëvizje te rrezikshme në dëm të Kosovës dhe stabilitetit në rajon. Ata vunë theksin edhe tek vemendja e madhe që SHBA duhet të ketë në Kosovë dhe Ballkan . Sipas tyre administrata Trump duhet të bashkëpunojë me BE, në vecanti me Gjermaninë dhe Britaninë, për t`i dhënë një zgjidhje përfundimtare dialogut Kosovë – Serbi.

Në lidhje me këtë çështje kryetari i PR Fatmir Mediu theksoi se situata gjeopolitike në rajon ka ndryshuar dhe përfshirja e Rusisë në këtë diskutim është në dëm të interesave të Kosovës dhe rajonit. Sipas Mediut çdo tendencë për shtete etnike në Ballkan i shërben Rusisë, për të justifikuar ndërhyrjen e saj në Gjeorgji dhe aneksimin e Krimesë, si dhe për të frenuar proçeset integruese në BE dhe NATO të Ballkanit. Në fjalën e tij Mediu shtoi se marrëdhënia e Ramës dhe Thaçit me Vucic, i ka dhënë mundësi Serbisë te fitojë një kredibilitet të padrejtë, që nuk e ka pasur në SHBA dhe BE.

Ndersa Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani theksoi se dialogu me Serbinë u shndërrua në marëdhënie dhe marrëveshje sekrete të liderevë të Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Haradinaj theksoi se vendosja e tarifës ishte një hap i rëndësishëm, i cili frenoi ndarjen e Kosovës, me gjithë presionet e mëdha nga Rama ,Thaçi dhe Vuçiç. Sipas tij Kosova nuk mund të shkojë mbrapsht dhe të verë në diskutim pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Ai gjithashtu shtoi se BE fatkeqësisht nuk ka pasur një qëndrim të unifikuar, gjë kjo që ka ndikuar negativisht.

Shume prej këtyre pjesmarrësve kërkuan organizmin periodik të ketij forumi për të ardhmen e Kosovës.

/Ora News.tv/