Sistemi i Drejtësisë u vendos përsëri nën një trysni të re, që lidhet me mbarimin e mandatit të Prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla. Shumica kishte dy mënyra për ta zgjidhur këtë situatë, ose tja zgjaste mandatin deri në zgjedhjen sipas kushtetutës së re, të prokurorit të ri të përgjithshëm, ose të bënte këtë që po bën tashti, zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, që do të zgjidhet, sigurisht me favorin e votave të kësaj Shumice parlamentare.

Pamvarsisht emrit dhe formimit, një prokuror i ri i përkohshëm dhe i përgjithshëm, i zgjedhur në këtë mënyrë, mbetet padyshim i paragjykuar, në sytë e Opinionit dhe jo vetëm, si një prokuror në shërbim të kryeministrit, në një formë ose në një formë tjetër.

Dhe dukshëm kryeministri ka shumë arësye se përse, të ketë një tundim të fortë për të kontrolluar apo në rastin më të mirë, për të gëzuar “mirënjohjen” e prokurorit të ri të përgjithshëm, me nofkën i Përkohshëm…

Ai, kryeministri pra, ka hyrë në vitin e pestë të qeverisjes dhe ka plotë mëkatarë në shërbim të vetes, që janë ekspozuar së tepërmi, në paratë e shumta që kanë grumbulluar, nga shpenzimet e çmendura që bëjnë, nga dashnoret dhe dashnorët e shumtë që i përgojojnë, të kapur nga euforia e super pushtetit dhe nga siguria e paprekshmërisë…

Reforma në Drejtësi, pamvarsisht dëshirës popullore për një drejtësi të drejtë, që qëndron përpara fakteve me një peshore në duar dhe me sytë e mbyllura, e pra, e pa ndikuar se kush janë palët në gjykim, kjo reformë pra, njeh në këtë rast, një kthim të sigurtë pas.

Për ta bërë sa më të padukshme këtë zbythje, kryeministri lyp ditë përditë bashkëpunimin e kundërshtarit politik, kryetarit të Pd, që ai e kërkon si ortak, për tja hedhur të dy sëbashku, kësaj situate. Sigurisht me kushtin që viktimat duhen gjetur te një palë e tretë, mundësisht te Lsi, apo në ndonjë parti tjetër politike.

Basha duket edhe ai i tunduar, por mbas katastrofës së bashkëpunimit të Majit të kaluar, rreziku për të është shumë më i madh. Mundet të fitojë kushte të mira, në mbrojtjen e tij dhe të rrethit të vet më të ngushtë, te figura e Prokurorit të ri të përkohshëm, por jo do të shoqërohet sigurisht me një rënie të re të popullaritetit të tij, edhe kështu si është, mjaft të diskutuar…

Dhe ketu mbetemi në kënetën e Miteve të rreme të një Drejtësie të rreme, që po gatuhet…
Dhe kur drejtësia rrangallë, fillon e ndryshon mrrokllat, krimi ngre krye edhe me fuqishëm.


/Ora News.tv/