Shteti amerikanojugor i Ekuadorit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e protestave antiqeveritare.

Përleshjet mes policisë dhe demonstruesve vijojnë prej një jave.

Shkak është bërë vendimi i presidentit Lenin Moreno, për të anuluar subvencionet e vjetra për karburantet, nismë e cila deri tani ka rritur çmimet e tyre me 100 për qind.

Duke sfiduar gazin lotsjellës dhe kordonin e sigurisë, të martën aksioni qytetar përshkallëzoi me mësymjen brenda ambienteve të parlamentit.

Protestuesit me flamujt kombëtarë në duar lëshuan slogane kundër kreut të shtetit, përpara se të shoqëroheshin jashtë me gaz lotsjellës.

Në kryeqytet u raportuan edhe sulme ndaj godinave të tjera zyrtare, duke detyruar presidentin Moreno të zhvendosë selinë qeveritare dhe të shpallë ndalimqarkullimin afër institucioneve deri në mëngjes.

Përplasjet njëjavore mes palëve kanë lënë dy persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, ndërkohë që numri i të arrestuarve ka kaluar 570.

Presidenti Moreno ka akuzuar rivalët e majtë se po provokojnë një "grusht shteti" ndërkohë që i ka refuzuar kërkesat për dorëheqje.

Anulimi i subvencioneve për karburantet, por edhe reforma të tjera si ulja e rrogës në shtet me 20 për qind dhe përgjysmimi i ditëve pushim janë pjesë e një pakete të dakordësuar me FMN-në në fillimin e vitit që synon uljen e borxhit të jashtëm dhe deficitit.

/Ora News.tv/