Opozita pritet që brenda pak ditësh t'i propozojë mazhorancës variantin e saj të reformës zgjedhore. Por një nga aleatët e PD-së, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi tha në studion e Ora News se po punohet mbi të nëntë pikat e Bundestagut.

Dashamir Shehi:  Kjo është punë ditësh javësh të këtij muaji që vjen. Në shumë pika sic është reforma zgjedhore edhe ka filluar debati për këtë temë.

Pasditen e së hënës Partia Demokratike zhvilloi mbledhjen e parë të grupit të punës për reformën zgjedhore. Në përfundim të takimit 2 orësh, ish deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh për mediat se fokusi mbetet një reformë zgjedhore që garanton të drejtën e votës së lirë.

Alibeaj konfirmoi se në mbledhjen e ekspertëve u diskutua dhe drafti i PS, teksa e cilësoi atë si një tallje për shqiptarët.

Enkelejd Alibeaj: Dy nga çështjet kryesore që u diskutuan janë shitblerja e votës dhe presioni ndaj administratës. Veç kësaj u raportua edhe për veprimtarinë e nëngrupeve të tjera. Nuk kam pse ta fsheh u diskutua edhe çështja e draftit të bërë publik nga ana e qeverisë.  Zgjidhjet që na ndajnë nga ky draft tregojnë edhe seriozitetin dhe dëshirën për të bërë një reformë reale. 

Të propozosh psh për shitblerjen e votës na u mjaftokërka vetëm me një deklaratë solemne që mund të bëjë Rama se nuk do të vjedh më vota unë besoj që kushdo shqiptar dhe ndërkombëtar  e kupton që vetëm reformë zgjedhore nuk është. Është tentativë për ti hedhur sy shqiptarëve dhe ndoshta ndërkombëtarëve.

Të adresosh simptomën tjetër  më të rëndë siç është presioni mbi administratën publike duke propozuar se vetëm që me presion të administratës publike do të kuptohet edhe presioni që bëhet ndaj nxënësve kjo është një tallje me shqiptarët. 

Të adresosh çështjen e penetrimit të parave të pista në fushatë duke thënë se do të duhet të gjobiten ata që marrin para nga krimi, kjo besoj se është një tallje akoma më e rëndë me shqiptarët dhe mbi të gjitha jo seriozitet. Jo seriozitet për një nga dokumentet më të rëndësishëm, dokumentin e Bundestagut.

Alibeaj tha se opozita është e pozicionuar për një reformë zgjedhore relae.

Alibeaj: Ne jemi të pozicionuar për një reformë zgjedhore reale. Për ti dhënë shqiptarëve votën e lirë, votën e ndershme. Vota e cila do të duhet të bëjë ndryshimin e shqiptarëve. Për këtë jemi të angazhuar për këtë ka qenë edhe mbledhja.  Shembulli është ky: Me seriozitetin më të madh ne jemi të vendosur që ajo që do të quhet reformë elektorale reale është që të diagnostikoje zgjedhjet dhe të gjejë ilaçin efektiv, ndryshe do të jetë tallje. Për këtë jemi ne. 

Ish- deputeti u shpreh se takimi i parë i grupit të punës së reformës zgjedhore u fokusua te 2 problematikat kryesore të proceseve zgjedhore, siç janë presioni ndaj administratës dhe shitblerja e votës.

/Ora News.tv/