Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar  sot (22 nëntor) seancën dëgjimore ndaj prokurorit të Tiranës, Shpëtim Kurti.

KPK bëri të ditur se fillimisht prokurori Shpëtim Kurti është hetuar mbi kriterin e pasurisë, pasi nga raporti i kontrollit ILDKPI rezulton se ka bërë deklarim të pasaktë.

Ndërkaq, edhe DSIK ka konstatuar se subjekti, nuk ka përshtatshmëri për të vazhduar detyrën.

Sipas këtij institucioni, prokurori s’ka deklaruar kontaktet e papërshtatshme në formularin e dekriminalizimit edhe pse ka patur kontakt me një shtetas me precedent penal me inicialet H.M.

Në lidhje me këtë person, prokurori Shpëtim Kurti kishte deklaruar se me personin në fjalë janë nga i njëjti fshat dhe i vetmi kontakt që kishte pasur me të ishte që ishin shkëmbyer një herë në një lokal.

Kurti ka qenë zv/prokuror nga viti 2002 deri në 2007. Vendimi për prokurorin e Tiranës, Shpëtim Kurti pritet të jepet më datë 23 nëntor.

Pasuritë e Prokurorit rezultojnë: Një apartament banimi 83 metra katrorë në rrugën Sulejman Pasha, që e ka blerë për 1.5 milionë lekë në vitin 2002 dhe ia ka shitur më pas të vëllait në 2011.

Apartament banimi 43 metra katrorë tek fusha Aviacionit, apartament me sipërfaqe 60 metra kator në plazhin e Durrësit, truall 146 metra katorë dhe ndërtesë në rrugën R. Shijaku në Tiranë blerë në 2012 për 5.5 milionë lekë. Tokë are 3650 metra katroë dhe shtëpi 160 metra katror në Has të Kuksit dhe automjet i blerë në vitin 2003.

Apartamenti i rrugës Sulejman Pasha rezulton në mospërputhje me çmimin e blerë në vitin 2002. Ky apartament është deklaruar i blerë për 2 milionë lekë por në kontratën e shit-blerjes rezulton 1.5 milionë lekë.

/Ora News.tv/