Pritja merr fund, Milani zyrtarizon trajnerin e ri

Tashmë nuk ka dyshime. Marco Giampaolo është trajneri më i ri i Milanit. Ashtu siç pritej, tekniku 52 vjeçar ka marrë drejtimin e skuadrës kuqezi, çka është edhe kulmi i karrierës së tij.

Konfirmimi vjen nga faqja zyrtare e klubit me qendër në Milano, që zbulon se Giampaolo do të qëndrojë në "San Siro" deri më 30 qershor 2021, me opsionin për zgjatjen e kontratës deri në qershor 2022. Gjatë karrierës së tij, Giampaolo ka arritur të grumbullojë 324 ndeshje në të gjitha garat, 270 prej të cilave në Seria A.

Giampaolo e ka filluar karrierën e tij si asistent i trajnerit në Pescara në vitin 2000 dhe ka fituar licencën për trajner në korrik të vitit 2007. Ai ka trajnuar disa klube italiane që prej atëherë, duke përfshirë Cagliari, Siena, Catania, Cesena, Brescia dhe Empoli.

Kohët e fundit, Giampaolo ka qenë në krye të Sampdoria. Marco Giampaolo tani do të trajnojë skuadrën e parë të Milanit në ditën e parë të trajnimit të sezonit të ri në Milanello në 9 korrik. Në këtë post, Giampaolo zëvendëson të larguarin, Gennaro Gattuso.

EMISIONET