Pas polemikave që shkaktoi me komentin e tij për emigrantët nga Afrika e Haiti, presidenti Donald Trump ka mohuar akuzat se ai është racist. Por në kuadër të çështjes së emigracionit në Shteteve të Bashkuara, Trump ka përsëritur qëndrimin e tij kundër lotarive, duke theksuar nevojën për një sistem të bazuar mbi meritën.

Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar akuzat për racizëm, pas debatit që shkaktoi përdorimi i pretenduar i togfjalëshit “vende të ndyra” për të përshkruar kombet afrikane dhe Haitin. “Nuk jam racist. Në fakt jam personi më pak racist që keni intervistuar ndonjëherë, këtë mund t’jua siguroj,” u shpreh Trump për gazetarët në klubin e tij të golfit në Florida. Presidenti iu referua takimit të zhvilluar në Zyrën Ovale gjatë javës së kaluar, ku u diskutua mbi një reformë për emigracionin e ku Trump u raportua të kishte folur me një gjuhë banale.

Kreu i Uashingtonit ka ofruar një argument të vakët mbrojtës lidhur me komentin. Përmes një postimi në Twitter të premten, ai pohoi se kishte përdorur një gjuhë të ashpër gjatë takimit në Zyrën Ovale, por shtoi se nuk kishte përdorur gjuhë ofenduese. 

Ndërkohë, në një tjetër postim sërish në Twitter, Trump i është rikthyer qëndrimit të tij kundër lotarive që lejojnë hyrjen në SHBA të personave rastësorë. “Si president, dua që njerëzit të cilët vijnë në vendin tonë të na ndihmojnë të bëhemi të fuqishëm e të mëdhenj dhe të vijnë përmes një sistemi të bazuar mbi meritën,” shkroi lideri i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar programit të lotarisë Green Card, që i siguron fituesve kartën e rezidentit të përhershëm të Shteteve të Bashkuara.

/Ora News.tv/