Presidenti i SHBA Donald Trump prej kohësh ka qenë kundër globalizmit dhe ka kritikuar multilateralizmin, që është themeli i Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, si udhëheqës i vendit pritës të organizatës botërore, ai është i detyruar të marrë pjesë dhe të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së çdo vit, gjë që ai do ta bëjë të martën për herë të tretë.

Gjatë fjalimit, presidenti amerikan pritet të "afirmojë rolin udhëheqës të Amerikës" dhe "të nënvizojë se Amerika është një alternative pozitive ndaj autoritarizmit", sipas një zyrtari të lartë të administratës.

Gjatë fjalimit të vitit të kaluar në Asamblenë e Përgjithshme, zoti Trump u bë shkak për të qeshura, kur u mburr se administrata e tij "ka arritur më shumë se pothuajse çdo administratë në historinë e vendit".

Sipas një ankete, ish-ambasadorë amerikanë dhe ish-zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare nga administratat republikane dhe ato demokrate, thanë se besojnë se ndikimi amerikan në skenën botërore ka rënë gjatë kohës së Presidentit Trump ndërsa kundërshtarët janë bërë më të fortë.

Presidenti Trump këtë javë po zhvillon gjithashtu takime me disa nga krerët e qeverive si dhe po merr pjesë në të paktën një pritje diplomatike dhe një drekë të organizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

Në fjalën e tij të parë zyrtare të hënën, Presidenti Trump foli në një takim të organizuar prej tij dhe Zëvendës Presidentit Mike Pence me temë "Thirrje globale për të mbrojtur lirinë fetare në Kombet e Bashkuara".

Presidenti Trump tha se mbrojtja e lirisë fetare është një nga përparësitë më të larta të administratës së tij.

"Rreth 80 përqind e popullsisë së botës jetojnë në vende ku liria fetare kërcënohet, kufizohet, apo edhe ndalohet," tha ai në fjalimin e tij.

"Sot, me një zë të qartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bëjnë thirrje vendeve të botës t'i japin fund përndjekjes fetare," shtoi ai mes duartrokitjeve.

Presidenti Trump, administrata e të cilit është kritikuar se i ka mbyllur derën një numri në rritje njerëzish që kërkojnë strehim nga përndjekja në vendet e tyre, tha se Shtetet e Bashkuara "gjithmonë do të jenë një zë për viktimat e persekutimit fetar kudo. Pavarësisht se ku shkoni, ju keni një vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha ai.

Ngjarja më e bujshme në kalendarin e së hënës në OKB megjithatë ishte Samiti i Veprimit të Klimës ku Presidenti Trump bëri një paraqitje të shkurtër të paplanifikuar.

Presidenti, i cili qëndroi më pak se 15 minuta në samit, nuk mbajti fjalim. Ai dëgjoi fjalimet e kryeministrit indian Narendra Modi dhe kancelares gjermane Angela Merkel. Ai u largua kur filloi të flasë Presidenti kilian Sebastian Pinera.

Presidenti Trump mbërriti aty pas hapjes së samitit nga aktivistja për klimën, adoleshentja, Greta Thunberg nga Suedia. Ajo u tha udhëheqësve të botës: "Jemi në fillimet e një zhdukjeje masive ndërsa ju flisni vetëm për para dhe tregoni përralla të rritjes së përjetshme ekonomike. Si guxoni!"

/Ora News.tv/