Presidenti referendum, PS nismë për ndryshime në Kushtetutë

Presidenti referendum, PS nismë për ndryshime në Kushtetutë

Prej ditësh socialistët kanë hedhur në letër disa propozime për amendimin e Kushtetutës së Republikës, si një masë për të bllokuar aktet e Presidentit, Ilir Meta.

Burime nga PS bëjnë me dije, se nëni 129 i Kushtetutës është i pari që pritet të ndryshojë. Në këtë nen aktualisht përcaktohet se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin përpara Presidentit të Republikës. Është pikërisht kjo pikë që pengoi Arta Vorpsin të nisë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese edhe pse në Kuvend u tha se ajo ishte emëruar automatikisht anëtare.

Vorpsi nuk u njoh nga anëtarët e tjerë të kësaj gjykata për shkak se nuk ishte dekretuar nga kreu i shtetit.

Drafti i ndryshimeve ende nuk është finalizuar, por janë deputetët e Komisionit të Ligjeve që po punojnë për ta bërë atë publik, këto ditë.

Ekspertët e ligjeve kanë sugjeruar dy rrugë për të gjetur mekanizma zhbllokues ndaj vendimeve të kreut të shtetit. Një është ndryshimi i dokumentit themeltar të shtetit, për të cilin mazhoranca ka treguar se i siguron 84 votat bashkë me opozitën e re. Ndërsa rruga tjetër është edhe ajo që u paralajmërua në rezolutën e miratuar nga parlamenti, ndërhyrje në ligjin për organet e drejtësisë.

Këto propozime për ndërhyrje në Kushtetutën e vendit vijnë në një kohë që vetë kreu i shtetit po gjen mekanizmat për të filluar një referendum popullor.   

EMISIONET