Paketa e kredisë sovrane: Sekuestro aksioneve kush s'paguan kredinë e pagave

Paketa e kredisë së ashtuquajtur sovrane me një shumë prej 11 miliardë lekësh, e miratuar prej qeverisë për tu ardhur në ndihmë bizneseve,  ka të parashikuar disa masa shtërnguese për kompanitë.

Në akt marrëveshjet e publikuara në fletoren zyrtare thuhet se është qeveria që do tu garantojë bankave kapitalin e kërkuar për hipotekimin. Por një tjetër pikë është dhe masa ndëshkimore për ato subjekte që nuk arrijnë të përballojnë shlyerjen e kësaj huaje.

“Në fund të periudhës së huasë sipas marrëveshjes së garancisë, nëse Huamarrësi nuk kthen detyrimin ndaj  Huadhënësit,  ai  humbet  të  drejtën  e  aksioneve  të  cilat  do  të  shiten  nga  struktura  përkatëse  sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në aneksin 1 e përcaktuar si marrëveshje e rikuperimit.

Pra në këtë rast investitori, që në kushtet e emergjencës do të marrë kredi për të paguar rrogat e punonjësve, do të rrezikojë aksionet që ka në biznes, nëse gjatë periudhës së emergjencës së fatkeqësisë natyrore nuk do të arrijë të krijojë xhiro dhe fitimin e mjaftueshëm për të shlyer kredinë e marrë nga bankat.

Një tjetër nen është dhe për ndarjen mes principalit, pra shumës së kërkuar dhe pagesës së interesave dhe gjobave që mund të aplikojë banka e nivelit të dytë nëse kredia nuk paguhet në afat.

Qeveria ka sanksionuar në marrëveshje se nuk do të marrë përsipër pagesën e interesave dhe borxheve. Pra do të jenë pikërisht investitorët që do të duhet të marrin sërish përsipër kostot që mund të kenë nga kredia sovrane e paraqitur prej qeverisë.

Prej kohësh përfaqësues të bizneseve kanë deklaruar se edhe norma e interest që shkon deri në 2.8 për qind është një normë e lartë sa I përket situatës.

Por këto dy pika të zbardhura në nenet e paketës sjellin të tjera rëndesa që në kushtet e fatkeqësisë natyrore përkthehen në mungesë të fortë likuiditeti dhe në një rrezik që sërish e marrin përsipër vetëm bizneset

EMISIONET