Pompeo në Greqi, i kërkon ndërhyrje për konfliktin me Turqinë

Pompeo në Greqi, i kërkon ndërhyrje për konfliktin me

Kryediplomati amerikan, Majk Pompeo, vijon turin e tij ballkanik duke ndalur në Athinë. Në fokus të diskutimeve të mbajtura me kryeministrin grek ishin raportet dypalëshe, bashkëpunimi në NATO dhe zgjidhja e tensioneve mes Turqisë dhe Qipros. Sipas Greqisë, marrëdhëniet me Uashingtonin janë më të forta se kurrë.

Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin influencën e tyre për të ulur tensionet në Mesdheun Lindor.

Apelin e drejtoi të shtunën kryeministri i Greqisë, Qirjako Micotaqis, në një takim me kryediplomatin e Uashingtonit, Majk Pompeo.

Micotaqis shprehu shqetësim posaçërisht për konfliktin disamujor me Ankaranë, e cila të hënën pritet të nisë kërkimin e gazit dhe hidrokarbureve në territorin e Qipros Veriore, pavarësisht kundërvënies së faktorit ndërkombëtar, si BE-ja apo edhe vetë SHBA-ja.

"Lëvizjet e fundit të Turqisë në bllokun 7 të zonës ekonomike të Qipros janë shkelje flagrante e të drejtës sovrane të Qipros. Unë pres që SHBA-ja të krijojë një klimë më konstruktive dhe të frytshme bashkëpunimi në rajon," u shpreh kreu i ekzekutivit grek, duke kërkuar respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

Pompeo u zotua të avancojë aksionin diplomatik ndaj veprimeve të paligjshme të Ankarasë, ndërsa vlerësoi rolin Greqisë si një shtyllë strategjike dhe stabiliteti.

Kryeministri grek pohoi se marrëdhënia mes dy shteteve nuk ka qenë asnjëherë më e fortë.

Zyrtari amerikan vijoi takimet me anëtarë të tjerë të kabinetit, me të cilët nënshkroi një marrëveshje dypalëshe në fushën e mbrojtjes, që ndër të tjera rrit prezencën amerikane në bazat ushtarake të vendit.

Në Athinë u prit me protesta, ku qindra qytetarë të mbledhur në sheshin kryesor përsëritnin sloganet "amerikanët, vrasës" apo "jo marrëveshjes Greqi-SHBA."

Vizita e tij dyditore në Greqi do të mbyllë turin europian që nisi këtë javë me Italinë, dhe kulmoi të premten me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

EMISIONET