Inspektorati kombëtar i mbrojtjes së territorit ka nisur aksionin e dytë për prishjen e banesave në unazën e re. Pronarët e bizneseve pavarësisht lajmërimit, nuk mundën ti largojnë sendet, ndërsa tentojnë të nxjerrin ata çfarë janë zënë poshtë. Pas shembjes së objekteve, disa familje nuk janë larguar nga rrënojat e banesave.

Pas shembjes së 33 objekteve të para, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së territorit ka nisur aksionin e dytë për shembjen e godinave në zonën e Unazës së Re.

Aksioni ka nisur prej orëve të para të mëngjesit, ndërsa zona është blinduar nga policia, për të shmangur përplasje të mundshme me banorët. Pavarësisht se ishin lajmëruar banorët nuk kanë mundur të largojnë sendet nga godinat e tyre. Pas shembjes ata tentojnë të nxjerrin disa prej sendeve që mund të kenë shpëtuar pa u dëmtuar.

Ndërkohë disa familje dhe pronarë, i kanë larguar vullnetarisht sendet dhe orenditë nga godinat e tyre. Ndërkohë disa prej banorëve që iu shemb shtëpia në aksionin e parë të IKMT-së, nuk janë larguar nga shtëpitë dhe qëndrojnë pranë rrënojave me mbetje.

Aksionin e të premtes banorët e unazës e quajnë të paligjshëm, pasi sipas tyre IKMT dhe policia nuk duhet ta rrethonin zonën që në orën 5 të mëngjesit.

Puna në unazën e re pritet të vijojë sërish me prishje të tjera, ndërsa banorët, të cilëve do u shemben shtëpitë dhe bizneset do të duhet të braktisin lagjen ku kanë jetuar e punuar prej më shumë se 20-vitesh.

LEXO EDHE: Në 12 orë 30 objekte të shembura, aksioni në "Astir" mbyllet me përplasje, arrestime dhe të plagosur

Me ndërhyrjen e forcave speciale u shoqëruan të paktën 15 persona, mes tyre dhe pedagogu Ervin Goci.

Për shkak të përplasjes, 13 persona u paraqitën në spitalin e Traumës, 5 prej të cilëve ishin të forcave të rendit.

Kërkesave për tu futur në zonë, forcat e rendit i janë përgjigjur me refuzim. Madje në rrethim është vendosur jo vetëm hyrja e Unazës së Madhe por dhe akset dytësore. Nga spitali banorët kanë akuzuar për dhunë.

Avokatët e banorëve të Astirit kanë denoncuar ndërhyrjen e policisë, teksa kanë shtuar se do të vazhdojnë betejën ligjore.

(Ne foto: Policia sot ne mengjes tek Unaza e re) 




/Ora News.tv/