Tusk: Jo të bindur me planet e Johnson për Brexit

Tusk: Jo të bindur me planet e Johnson për Brexit

Brukseli mbetet i hapur, por jo tërësisht i bindur me propozimet e kryeministrit britanik, Boris Xhonson, i cili kërkon një marrëveshje të re për Brexit para 31 tetorit. Skeptike mbetet edhe Irlanda ndaj ringritjes së kufijve doganorë me provicën britanike të Irlandës Veriore.

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, i sheh me skepticizëm propozimet e fundit të qeverisë britanike për Brexit.

Negociatorët e BE-së thonë se kanë identifikuar probleme me planin e kryeministrit Boris Xhonson për kontrollet kufitare mes dy Irlandave, të cilat Londra planifikon t'i mbajë në fuqi deri më 2021-in.

"Sot pata dy telefonata për Brexit, një me Dulbinin dhe pastaj me Londrën. Mesazhi im është që jemi plotësisht përkrah Irlandën, ndërsa për kryeministrin Xhonson, i them se jemi të hapur por ende të pabindur," shkroi Tusk në Twitter.

Kryeministri Boris Xhonson tha të enjten se plani i tij zgjidh ngërçin rreth kufirit verior përmes përjashtimeve doganore për mallra të caktuara dhe decentralizimit të kontrolleve në të dyja anët e kufirit.

Por homologu i tij irlandez, ndonëse i ka mirëpritur propozimet si serioze, thotë se ngritja e një infrastrukture të re fizike në kufi është e papërshtatshme në shumë aspekte, edhe historike.

Në fjalimin e tij në parlament një ditë më parë, Xhonson tha se ai bëri lëvizjen e parë dhe tani i mbetet miqve europiane të ndajnë peshën e kompromisit.

Ndërkaq, Parlamenti Europian e ka kritikuar Londrën se po ripërdor ide të vjetra të kundërshtuara më parë.

Pala europiane gjithashtu ka kërkuar transparencë nga ekzekutivi britanik, pasi deri tani ka publikuar vetëm 7 nga 44 faqet e dokumentit me pikat e propozuara, teksa afron data 31 tetor për daljen nga BE-ja.

EMISIONET