Mbështetës të opozitës në Klos janë futur në ambientet e KZAZ dhe po hedhin materialet zgjedhore nga dritarja. Materialet zgjedhore të KZAZ janë hedhur në rrugë nga mbështetës të opozitës.


Burrel, mbështetësit e opozitës nxjerrin materialet nga KZAZ dhe i djegin.

Ora 12: 20 Mbështetësit e opozitës në Burrel kanë arritur të futen brenda ambienteve të KZAZ nr. 17 në Klos dhe morën materialet zgjedhore e i dogjën.

RTV Ora ka siguruar pamjet nga djegia e materialeve të hedhura në rrugë të përfshira nga flakët.

Në videon, ku shihet momenti i djegies së materialeve zgjedhore, në ambientet e KZAZ nuk duket asnjë forcë policie.

Ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar në KZAZ nr. 16.

Gaz lotsjellës, gurë e shkopinj gome - Ndërsa paraditen e së mërkurës (19 qershor) u regjistruan përplasje mes mbështetës të opozitës dhe policisë në ambientet e KZAZ nr. 16.

Mbështetësit e opozitës gjuajtën me gurë në drejtim të policisë. Dhe më pas, forcat e FNSH iu përgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Nga përplasja mbetën disa të lënduar, mes tyre qytetarë dhe efektivë policie.

Gazetari i RTV Ora, raporton se forcat speciale goditën me shkopinj gome edhe kryetarin e PD në këtë bashki, Arjan Nikën, i cili është dërguar në spitalin e Burrelit.






/Ora News.tv/