Për Shpëtim Nazarkon, si mjeshtër i shahut, ajo çfarë po ndodh me Presidencës dhe Kryeministrisë lidhur me kandidaturën e Sandër Lleshit për Ministër i Brendshëm nuk është shah, por një lloj tavlle turke.

Nazarko: Shahu është më i komplikuar se kaq. Kemi të bëjmë  me manovra politike që i ngjan një tavlle turke. Shahu në ndryshim nga të gjithë lojërat e tjera është loja më e pastër ku ti nuk ndërhyn dot, nuk fshihesh dot në asgjë. Manovrat politike nuk mund ti klasifikosh si shah, veçanërisht në një vend si i yni.

I ftuar në Ora News, Nazarko thotë se Meta duhet të kishte dhënë një përgjigje shteruese se pse refuzon të dekretojë Leshin.

Nazarko: Përgjigjia e Metës do të ishte bindëse me aq sa lexoj unë Kushtetutën si amator, nëse do të sqaronte motivet. Hiq arsyet politike që nuk lejohet të ndikojnë në vendimin e tij, Presidenti është i detyruar të japë një përgjigje.Drejtëpërdrejtë pa dhënë arsye, mendoj se ka gabuar.

Me analizën e tij, Nazarko shkon më tej kur thotë se klasa aktuale politike e ka vështirë të pranojë brenda saj "mish të huaj".

Nazarko: Kjo klasë politike e ka shumë të vështirë futjen e mishit të huaj brenda klasës politike. Po të vëmë re lëvizjet e fundit, qoftë të Arta Markut, Helidon Bendos dhe tani Sandër Lleshit, kësaj klase politike po i futet uji nga të gjitha anët në kuptimin e personazheve të rinj. 

Meta mund të preferonte një pjesë të gardës së vjetër të socialistëve që i ka udhëhequr më parë sepse ka qenë Kryeministër, sesa një të huaj që nuk dihet nga vjen dhe çfarë pasojash bie. Një trio, Ministër i Brendshëm-Kryeprokuror-Shef i SHISH të çon dhe prapa hekurave. Në këtë sens futja e një mishi të huaj brenda e tremb jo vetëm Metës, por çdo njeri të klasës politike.

Analisti Nazarko komentoi edhe vendimin e Ministrisë së Brendshme për shpalljen non grata të 52 shtetasve grek lidhur me manifestimet ekstremiste në Bularat gjatë varrimit të Kostandinos Kaçifas.

Nazarko: Është një reagim i drejtë. Ajo që po ndodh këto 4-5 vitet e fundit, është një rikthim në marrëdhëniet e periudhës së Mbretit Zog, pra ku Shqipëria po përgjigjet me të njëjtën monedhë.

/Ora News.tv/