Përmbytje dhe zjarre në Australi

Përmbytje dhe zjarre në Australi

Shirat që po bien prej ditësh në Australi kanë lehtësuar situatën me zjarret, por vatrat vazhdojnë të djegin hapësira në rajonet jugore dhe juglindore.

Në Australi duket se po përmirësohet situata me zjarret që nga shtatori i vitit të kaluar vranë 29 persona, miliona kafshë dhe shkrumbuan një sipërfaqe toke sa një e treta e Gjermanisë.

Por shirat e dendur me furtunë që u derdhën të shtunën në zonat lindore po e përballin vendin me një tjetër rrezik, atë të përmbytjeve.

Në shtetet e Viktorias, Nju-Sauth-Uellsit dhe Kuinslendit, vërshimi i ujërave mbylli rrugët kryesore ndërqytetëse dhe ndërpreu energjinë elektrike.

Reshjet intensive në rajon mungonin prej muajsh.

"Kishte shumë bubullima dhe disa gjëmime të forta e të zgjatura gjatë natës. Por sa bukur ishte të dëgjoje sërish zhurmën dhe rrjedhjen e shiut mbi çati. Kishte kohë që na mungonte," shprehet një banore.

Byroja australiane e meteorologjisë njofton se reshjet do të vijojnë gjatë fundjavës, megjithatë vatrat e zjarrit do të përbëjnë rrezik në zona të caktuara.

Në kodrat jugore të Adelajdës, flakët kanë djegur rreth 1,100 hektarë vreshta që familje të caktuara i përdornin për prodhimin e verës prej tre brezash.

Dëmet mendohet se kanë eliminuar çerekun e prodhimit vjetor të verës në vend, me një vlerë që arrin deri 100 milionë dollarë australianë.

EMISIONET