Policia malazeze hodhi gaz lotsjellës të mërkurën mbrëma për të shpërndarë grupe protestuesish në Nikshiq dhe Plevle, të cilët u përleshën me forcat e rendit duke kërkuar lirimin e një peshkopi të Kishës Ortodokse Sërbe që u arrestua për shkeljen e masave kufizuese të vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Peshkopi Joanikije dhe shtatë priftërinj u ndaluan të martën pas një liturgjie e cila u mbajt me gjithë ndalesën e tubimeve për shkak të koronavirusit.

Policia e Malit të Zi tha në një postim në twitter se të paktën 4 pjesëtarë të saj pësuan plagë gjatë përleshjeve të së mërkurës mbrëma.

Sipas policisë qytetarët që u mblodhën në dy qytetet malazeze “hodhën gurë, shishe dhe mjete piroteknike mbi forcat e policisë. Me këtë rast u plagosën 4 pjesëtarë të policisë”, thuhet në njoftim sipas të cilit “arrestimi i atyre që janë përgjegjës për incidentet është duke u zhvilluar".

Protestat pasuan një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë së Malit të Zi, për shkak të ligjit për liritë fetare që u miratua më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Ligji u kërkon bashkësive fetare që të ofrojnë dëshmi të qarta mbi pronësinë, dhe kjo kërkesë sipas Kishës Ortodokse serbe, është hartuar për t’i marrë pronat e saj.

Udhëheqësit e kësaj kishe thonë se ligji i ri i mundëson Malit të Zi të konfiskojë pronat e saj, duke përfshirë manastiret, kishat dhe pasuri të tjera.

Këto pretendime janë mohuar vazhdimisht nga qeveria malazeze. Presidenti pro-perëndimor i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se po nxitë politikat pro-serbe brenda vendit dhe po përpiqet të dëmtojë shtetësinë e tij.

Mali i Zi, një vend i vogël buzë detit Adriatik me 620 mijë banorë, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2006. Në vitin 2017 u bë vend anëtar i NATO-s.

Mali i Zi deri tani ka raportuat 324 raste të të prekurve nga koornavirusi, nga pasojat e të cilin kanë humbur jetën 9 persona dhe është vendi më situatën më të mirë sa i përket pandemisë në rajon.

/VOA/

/Ora News.tv/