Përhapet virusi misterioz, 139 raste të reja në fundjavë në Kinë

Përhapet virusi misterioz, 139 raste të reja në fundjavë

Autoritetet kineze po raportojnë një rritje të pacientëve të infektuar me një virus vdekjeprurës që deri tani ka vrarë të paktën 3 prej tyre. Në vend po rritet paniku i përhapjes së epidemisë, për shkak të shtimit të popullatës e cila këtë javë feston edhe vitin tradicional hënor.

Në Kinë po shtohen rastet e infektimit me virusin misterioz që prej dhjetorit po rrit bilancin e vdekjeve.

140 pacientë të rinj u izoluan në fundjavë në qytetin e Vuhanit, në rajonin zanafillë ku shpërtheu epidemia vdekjeprurëse.

Sëmundja e shfaqur me pneumoni, kollë, të ftohtë dhe vështirësi në frymëmarrje mendohet të jetë ngjitur nga kafshët e egra dhe të detit të tregtuara në qytet, dhe tashmë është transmetuar në disa nga vendet fqinje.

Pas Pekinit dhe Shenzhenit, dhe shteteve të Tajlandës dhe Japonisë, edhe Koreja e Jugut njoftoi të hënën të paktën një rast me koronavirusin e panjohur.

Dyshohet se numri real i të infektuarve mund të jetë afro 1,700.

Nga analizat gjenetike është parë se virusi i ri i ngjason sindromit akut të frymëmarrjes i njohur si SARS, i cili në fillimvitet 2000 po në Kinë do të infektonte mbi 8 mijë persona dhe do u merrte jetën mbi 770 prej pacientëve.

Për shkak të dyshimeve se epidemia ka origjinë shtazore, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka udhëzuar banorët e vendeve aziatike të shmangin kontaktet e pambrojtura me kafshët, të mos konsumojnë mishra të papjekur apo vezë të paziera mirë, dhe të evitojnë takimet me çdo person që shfaq simptoma të ngjashme me ato të gripit.

Autoritetet kineze janë optimiste se virusi është i parandalueshëm, ndërsa po rritet paniku në vend nga përhapja e një epidemie me pasoja fatale kur dihet se qindra milionë banorë kthehen këtë javë në familjet e tyre për të festuar Vitin e Ri Hënor.

EMISIONET