Përdhunoi e vrau komedianen, dënohet me burgim të përjetshëm 20-vjeçari

Një i ri që përdhunoi dhe vrau komedianen Eurydice Dixon është dënuar me burgim të përjetshëm.

Jaymes Todd u shpall fajtor vitin e kaluar për sulmin e dhunshëm ndaj 22-vjeçares.

Gjykatësi e përshkroi krimin e tij si ‘totalisht djallëzor’.

20-vjeçari e ndoqi viktimën e tij për më shumë se 1 orë përpara se ta sulmonte në një park në Melbourne qershorin e kaluar.

Ai priti derisa Eurydice mbërriti në një zonë të errët për ta sulmuar.

Dixon po shkonte në shtëpi pasi performoi në një shfaqje të orëve të vona në një klub të qytetit.

Todd e vuri re komedianen në një stacion hekurudhor para se ta ndiqte në rrugët e qytetit.

Edhe pse nuk është shumë e njohur, Dixon u kujtua si një komediane e talentuar në fillimet e karrierës së saj.

Vdekja e saj shkaktoi hidhërim dhe debat në Australi në lidhje me sigurinë e grave.

Komisioni për të drejtat e njeriut në Australi është shprehur se në vend ka një shkallë të lartë të dhunës ndaj grave.

Sipas shifrave të qeverisë, 1 në 5 gra dhe 1 në 20 burra kanë përjetuar dhunë seksuale ose kërcënime që nga mosha 15 vjeçare.

Todd do të ketë të drejtën e lirimit me kusht pas 35 vjetësh.


EMISIONET