Përdhunimi në Babrru: Shahini shmang përgjegjësitë, fajëson pushtetin vendor dhe mediat

Përdhunimi në Babrru: Shahini shmang përgjegjësitë,

Abuzimi me 15-vjeçaren në Babrru ka sjellë debate në Kuvend. Ministrja e Arsimit Besa Shahini më shumë e ka parë përgjegjësinë tek pushteti vendor dhe mediat që japin lajme të tilla se sa tek dikasteri që drejton. Ajo foli për hetim të OJF-ve që merren me mbrojtjen e fëmijëve, por edhe për dyfishim të psilokogëve në shkolla.

Abuzimi i 15 vjeçares nga roja i shkollës, për ministren e Arsimit Besa Shahin, është përgjegjësi e drejtpërdrejt e pushtetit vendor.

Nga foltorja e Kuvendit, Shahini u shpreh se nga ana e saj nuk do të ketë asnjëherë reagime për raste individuale, por vetëm për fenomenet.

Shahini: Tani, dua të bëj të qartë një gjë: as sot, as dje dhe as kurrë, për sa jam unë ministre, MASR nuk do të prononcohet për rastet individuale të abuzimit dhe të kontribuojë në ri-abuzimin që po i bëni viktimave duke diskutuar detajet e abuzimit dhe duke identifikuar ato. Strukturat e saj, gjithmonë do të flasin publikisht për fenomenin, do të marrin masa parandaluese dhe ndëshkuese, do të mbështesin fëmijët dhe të rinjtë me mjete që iu duhen në jetë për t’u mbrojtur.

Të njëjtën gjë pres edhe nga OJQ-të që merren me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Ndërprisni menjëherë daljen në media me informacion identifikues për personat që ju do të duhej t’i mbroni. OJF-të që paguhen nga buxheti i shtetit tonë dhe shteteve donatore për të mbrojtur gratë dhe fëmijët, për të trajnuar mësuesit e psikologët, si dhe për të raportuar denoncimet e dhunës dhe abuzimit.

Tek lista e organizatave që na kishin shkruar ishte edhe organizata partnere të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) që paguhen nga buxheti i shtetit për të menaxhuar linjën e denoncimeve anonime të dhunës, që mesa kuptoj, janë gjithmonë në dijeni të disa rasteve që denoncohen aty, por për çfarëdo arsyeje informacioni nuk shkon në institucione shtetërore që të merren masat e nevojshme, ndaj kemi kërkuar hetim urgjent për protokollet që zbatohen nga OJF-të që paguhen nga buxheti i shtetit për të ofruar shërbim publik për mbrojtjen e fëmijëve.

MASR ka kërkuar gjithashtu që Urdhri i Psikologut të raportojë për trajnimet që ka zhvilluar për çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual, me psikologët, sidomos për ata që punojnë në gjykata dhe ata që punojnë në shkolla. U kemi dërguar bashkive kriteret që duhet të plotësojnë rojet dhe stafi sanitar që na sjellin nëpër shkolla. Duhet të kenë parasysh bashkitë që stafi që punon në shkollë duhet të jetë me integritet.

Duke shmangur përgjegjësitë e saj, Ministrja ka gjetur fajin edhe tek media. 

Shahini: Kemi kërkuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) që urgjentisht të ndërmarrë masa ndaj mediumit që kishte botuar të plotë dëshminë policore të një mituri. AMA nuk është OJQ që të japë deklarata. Është institucion mbikëqyrës i mediave që duhet të shqiptojë gjoba, kur haptazi shkelen ligjet dhe rregullat e raportimit mediatik.

Kërkoj nga AMA që të mos presë nxitje nga ne, por të merret aktivisht në mënyrë prioritare me mbrojtjen e të miturve, të abuzuarit seksualisht që po abuzohen për së dyti nga mediat, të cilat po shpalosin detaje identifikuese për viktimat, që është shkelje e hapur e të drejtave bazike të fëmijëve.

Për parandalimin e rasteve të tilla, Shahini kërkon para nga buxheti i shtetit për të investiguar thellësisht, por dhe për të dyfishuar numrin e psikologëve në shkolla.

Shahini: Ne si ministri e Arsimit kemi vendosur të dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve social nëpër shkolla, dhe të nisim një fushatë informuese për nxënësit për të drejtat e tyre se si i mbron rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu dhe kodi penal. Por dua të përsëris, KJO NUK MJAFTON. Nëse duam të parandalojmë ngacmimin, abuzimin, dhunën dhe diskriminimin e fëmijëve, grave dhe grupeve të brishta, duhet që secili nga ne të punojë për të luftuar sistemin patriarkal që denigron grupet e brishta dhe mundëson abuzimin.

Ndërsa opozita propozon një tjetër zgjidhje.

Për ngjarjen e Babrru ka mjaft reagime, madje edhe protesta nga shoqëria civile, ndërsa të rinjtë e PD-së i kërkuan dorëheqjen Ministres së Arsimit.


EMISIONET