Dy muaj pas votimeve të 30 qershorit, Partia Demokratike vazhdon me denoncimin e Kryebashkiakëve që kanë problem me drejtësinë.  Ashtu si veproi me Valdrin Pjetrin, të cilit i publikoi vendimin për dënimin në Itali, selia blu ka zbuluar përmes një deklarate për mediat dhe dosjen e kryetarit të bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi akuzoi se Kajmaku është ndaluar në Greqi për përdorimin e parave false.Shkak që Kajmaku nuk është dënuar, sipas Bardhit është se Kajmaku është arratisur, duke bërë që dosja e tij të mbetet pezull.

Partia Demokratike publikon dokumentin e urdhërarrestit që Gjykata e Janinës ka firmosur për Agim Kajmakun, i zgjedhur si kryetar i bashkisë së Vorës në zgjedhjet e 30 qershorit. 

Bëhet fjalë për një dokument të Gjykatës së Janinës  të datës 19 qershor 2013 në të cilën është vendosur "arrest me burg" për Jorgo Toten me akuzën e përdorimit dhe shpërndarjes së kartmonedhave të falsifikuara.

Dokumenti u publikua nga sekretari i Pergjithshem i PD-se,Gazmend Bardhi në një dalje për median. 

 Sipas dokumentit Jorgo Toto është arrestuar më 14 janar 2003 në zonën e Janinës ka qëndruar disa ditë në burg më pas është hetuar i lirë derisa çështja iu përcoll prokurorisë dhe gjykatës.  Pas hetimit gjykata me vendimin e datës 19 qershor 2013 urdhëroi arrestimin e tij. 

Bardhi sqaron më tej se vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, në Agim Kajmaku

Gazmend Bardhi: "Sipas këtij dokumenti: Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale "Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek.

Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi. Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej prokurorisë dhe gjykatës.   Pasi dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto. Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim.

Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim.

Ky është rasti i dytë që PD publikon dokumentet e dënimit të kandidatëve për kryetar bashkie, pas atij të Valdrin Pjetrit i cili dha dorëheqjen më pas.  

"Të gjitha këto të dhëna provojnë se Agim Kajmaku është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit" u shpreh Bardhi.


Gjurmet e gishtave

Ndërkohë prokuroria ka kërkuar gjurmët e gishtave për Agim Kajmakun.  Burime nga grupi hetimor në sektorin e dekriminalizimit thanë për RTV Ora tha se fletë-thirrja është hartuar të premten dhe sot niset për në Bashkinë e Vorës. Policia Gjyqësore do të dërgojë sot edhe kërkesën në laboratorin e Policisë Shkencore . Pas marrjes së gjurmëve të gishtave, Prokuroria do dërgojë letërporosi në Greqi.

PD: Rama e di por hesht

Përmes një video, Bardhi shprehet se Kajmaku ka marrë mbështetjen e kryeministrit dhe Ministres Belinda Balluku edhe pse e dinte që Kajmaku kishte problem me drejtësinë në Greqi. PD akuzon Ramën se po vazhdon të heshtë edhe pse e ka marrë informacionin e plotë lidhur me Agim Kajmakun.

Me publikimin e dosjes Sekretari i Përgjithshëm, i PD-së theksoi se i bën të ditur dhe autoriteteve greke se personi i akuzuar Jorgo Toto ndodhet në Shqipëri dhe ai sipas Bardhit është Agim Kajmaku.

Gazmend Bardhi: "Edi Rama vazhdon të bëjë sikur nuk dëgjon dhe shikon që kandidatët që i ofroi shqiptarëve janë kontigjent burgjesh dhe të padenjë për Shqipërinë. Edi Rama e ka mësuar por fshihet me shpresën se e vërteta nuk do të dalë. Në vend që të distancohet heshti dhe urdhëroi të mashtrojë qytetarët e Vorës." 





/Ora News.tv/