Në vitin 2015 qeveria dha me koncesion ndërtimin e një porti privat për hidrokarbure ne Proto Romano të Durrësit. Sot Partia Demokratike akuzoi se në mënyrë korruptive kontrata po ndryshohet duke e kthyer këtë port edhe për mallra. Çlirim Gjata, tha se  kjo është shkelje flagrante e ligjeve dhe e standardeve të sigurisë kombëtare të vendit.

Çlirim Gjata:  Në kulmin e krizës së vendit, Edi Rama po i jep tre oligarkëve të vendit me koncesion një port privat mallrash për të ngarkuar dhe shkarkuar çdo lloj malli që hyn e del nga Shqipëria. 

 Në vitin 2015, Edi Rama ju dha tre oligarkëve Shefqet Kastrati, Friden Kuqi dhe Pëllumb Salillari një koncesion të paligjshëm për ndërtimin e një porti karburantesh vetëm pak metra nga porti ekzistues i Porto Ramanos, duke shkelur ligjin.

Tani, Edi Rama, me një shtesë të kontratës së koncesionit, ka vendosur që këtë port karburantesh ta kthejë në port për çdo lloj malli të menaxhuar nga këta oligarkë, njësoj si Porti i Durrësit.

Kjo është shkelje flagrante e ligjeve dhe e standareve të sigurisë kombëtare të vendit.

 Ky është një skandal korruptiv dhe me pasoja të rrezikshme për Shqipërinë. Ky port privat për mallrat cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë, dobëson luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës ndërkombëtare, përfshi trafikun e drogës.

Partia Demokratike dhe Koalicioni Opozitar deklaron publikisht, se nuk e njeh këtë akt kriminal tradhtie ndaj shqiptarëve. Parlamenti dhe qeveria e re e dalë nga votat e shqiptarëve do ta anulojë me efekt prapaveprues këtë vendim të paligjshëm dhe do ti vendosë të gjithë përgjegjësit para drejtësisë.

/Ora News.tv/