Pas "JO-së" se negociatave, Athina: Mbështesim perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Greqia mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Një ditë pasi Këshilli Evropian i tha "JO" hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Ministria e Jashtme e Greqisë në një deklaratë publike thotë se perspektiva që e ka fillimin në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ka për qëllim konsolidimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

"Ky pozicion, siç u nënvizua nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dje në Këshillin Evropian të Brukselit, mbetet një nga akset kryesore dhe të pandryshuara të politikës së jashtme greke", thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhet se Greqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e vendeve të rajonit për të përmbushur kushtet e kërkuara për t'u bashkuar me familjen evropiane.

"Për ta arritur këtë, ajo i inkurajon ata të qëndrojnë të përqendruar në rrugën e reformave që mund të ndikojnë vetëm pozitivisht në afrimin e tyre me Bashkimin Evropian, por edhe në jetën e qytetarëve të tyre", thotë ministria e Jashtme e Greqisë.

Po ashtu Ministria e Jashtme e Greqisë  u bën thirrje shteteve anëtare të BE-së që të punojnë së bashku për të zbatuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor për të mirën e rajonit dhe të vetë Evropës.

(Deklarata e Ministrise se Jashtme te Greqise)


/E.Xama/

EMISIONET