VIDEO/ Pakistani rrëzon dy avionë indianë

VIDEO/ Pakistani rrëzon dy avionë indianë

Tensionet mes Indisë dhe Pakistani që u nxitën dy javë më parë nga një sulm terrorist në Kashmir po përshkallëzohen me shpejtësi drejt një konflikti luftarak. Të paktën dy avionë gjuajtës indianë u rrëzuan të mërkurën nga Pakistani dhe tre pilotët e tyre u arrestuan. Fuqitë ndërkombëtare si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vijojnë thirrjet për qetësi dhe shmangie të konflikteve.

Pakistani njoftoi të mërkurën rrëzimin e dy avionëve indianë dhe arrestimin e pilotëve të tyre me arsyen se kishin kaluar hapësirën ajrore pakistaneze të Kashmirit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Pakistanit sqaroi se goditja e avionëve ishte një kundërpërgjigje reciproke ndaj sulmit që flota ajrore indiane ndërmori një ditë më parë kundër një grupi të konsideruar terrorist brenda kufirit të Pakistanit.

Një nga avionët e tipit F-16 që pilotohej nga indianët u rrëzua brenda hapësirës së Kashmirit që administrohet nga Pakistani, së bashku me pilotin e lënduar.

Një lajm i ngjashëm për rënien e një avioni gjuajtës pakistanez u pretendua edhe nga zyrtarët e Indisë, por kjo u mohua nga Pakistani.

Ndërkohë aeroportet në disa qytete të Indisë janë mbyllur përkohësisht dhe hapësira ajrore për linjat komerciale është kufizuar si në Indi, edhe në Pakistan.

Tensionet e fundit vijnë rreth dy javë pasi një sulm me autobombë në zonën indiane të Kashmirit u mori jetën të paktën 42 trupave paraushtarake në vend.

Sulmi terrorist raportohet se u ndërmor nga një grup militante me origjinë nga Pakistani.

Kryediplomatja indiane tha të mërkurën se qëllimi i tyre nuk është acarimi më tej i raporteve me Pakistanin, të cilat vijojnë të tendosura prej vitit 1971 dhe kryesisht për shkak të pretendimeve territoriale ndaj Kashmirit.

Shtetet e Bashkuara por edhe Bashkimi Evropian apeluan të martën autoritetet e të dyja shteteve që të shmangin me çdo mënyrë përshkallëzimin e konflikteve të mëtejshme luftarake, dhe t'i japin prioritet kanaleve të komunikimit.



EMISIONET