Pak, për një personalitet, që dha dhe la shumë

Pak, për një personalitet, që dha dhe la shumë

E keni vënë re?

Njerëzit me brendi të pasur njerëzore, paraqiten shpesh herë para nesh të heshtur, disi të ndrojtur, por përherë të rrethuar  me një  shkëlqim dhe energji ngacmuese, që të tërheq drejt tyre.

I tillë ishte Viktor Kalemi – i cili papritur u largua prej nesh.

Kompleksiteti i personalitetit të tij- dallueshëm cilësor në çdo përmasë - e bëri atë një prezencë sharmante, elegant dhe potent në llojin e vet.

 Ai u bë një penë, që autorë të spikatur të letërsisë botërore, i solli me forcë të rritur, me pathosin e shpirtit të tij dhe mjeshtërinë e artit që mbartte dhe kultivonte, aq bukur edhe në shqip.

Viktori, shkëlqeu si bir i respektuar i prindërve, vëlla i kujdesshëm i motrave, bashkëshort i shumë përmasave për bashkëshorten, një baba mirëkuptues dhe inspirues për fëmijët dhe një mik i kudogjendur i miqve, por  dhe një diplomat dinjitoz dhe plot kompetencë në inicimin dhe finalizimin e shumë proceseve, që i dhanë Shqipërisë përfshirje dhe prezenca në shumë institucione ndërkombëtare.

 Viktori meriton nderim për  poezinë aq të pasur të shqipes që përcillte, për sensin e tij të humorit dhe për gjithë mençurinë, që aq kujdesshëm e shpaloste kudo ku gjendej.

Ai nuk u tërhoq e nuk ndenji pasiv edhe atëherë kur politika bënte përzgjedhjet partiake. Edhe pse, për një kohë, i larguar nga shërbimi diplomatik, ai kishte me se të pasuronte jetën kolektive të shqiptarëve. Me intensitetin e përkthimeve, ai na tregoi se edhe nëse dikush të cënon një emër, nëse ke kapacitete dhe forcë, ti mundet ta ringresh atë, në një formë tjetër.

Ai me siguri kishte brengat e veta, por, fatmirësisht i përktheu në vepra [ letrare dhe diplomatike], të cilat do mbeten, pjesë e trashëgimisë më të mirë të intelektualizmit dhe patriotizmit shqiptar.

Ai ishte personi që materializoi në mënyrë të spikatur harmoninë e  individit Viktor, me  veprën e vet.

Jeta ndërpritet. Ndarja prej saj, e bëri Viktorin një kujtim që të jep dhimbje dhe respekt.

Largimi i tij, na risolli në vëmendje një të vërtetë  universale – se jeta e secilit prej nesh është kalimtare – si dashuria dhe nderi, keqardhja apo krenaria, sakrificat dhe  dhembshuria për të tjerët.

Ai jetoi si burrë dhe pati privilegjin të lerë pas një vepër, e cila do jehojë e do dëshmojë dimensionet e shpirtit njerëzor.

 

 

EMISIONET