OSBE-ja nxit Shqipërinë të gjejë zgjidhje për reformën zgjedhore deri në fund të vitit

OSBE-ja nxit Shqipërinë të gjejë zgjidhje për

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore duhet të gjejë një zgjidhje për zbatimin e rekomandimeve të OSBE brenda këtij viti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori i OSBE-së,  Bernd Borchardt, pati një apel dhe për prokurorinë, për hetimin e  krimeve zgjedhore.

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, i ka bërë thirrje Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore që të gjejë një zgjidhje për implementimin e rekomandimeve të ODIHR deri në fund të vitit 2019. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Borschardt vuri një paralele, mes rekomandimeve të ODIHR dhe vendimit të vendeve të BE.

Bernd Borchardt: Duket se rekomandimet e ODIHR janë element themelor edhe në debatin e BE-së, prandaj ne do ta nxitim komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore të punojë në këtë drejtim dhe të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të vitit.

Duke e cilësuar të pamjaftueshme punën e prokurorisë për hetimin e krimeve zgjedhore, Borschardt bëri apel për më shumë vëmendje ndaj kësaj çështje.

Bernd Borchardt: Pas zgjedhjeve të 2017-s, pati rreth 400 akuza për blerje vote. Policia dërgoi rreth njëqind në prokurori dhe, në raportin e fundit të prokurorisë, thuhej që katër hetime vazhdonin. Kjo është shumë pak. Unë e nxis prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera.

Borchardt pati një ftesë dhe për Partinë Demokratike, që mungesën në Komision, ta zëvëndësonte me kontribut në diskutime për reformën zgjedhore.

Nga ana tjetër, Ambasadori i cilësoi spekulime zërat për zgjedhje të parakohshme.

Borschardt përmendi se Kushtetuta parashikon zgjedhje në vitin 2021.





EMISIONET