Uji i cili përmbyti disa zona të Krujës është tërhequr, duke lënë pasoja të shumta pas për qytetarët. Problemet konstatohen në fshatin Hasan, të Njësisë Administrative Fushë-Krujë. Po ashtu edhe në disa fshatra të tjerë të Njësisë Administrative Bupq, po të Krujës, si Murqin e Mazhë e Vogël.

Kjo është hera e dytë që banesat e tyre përmbyten dhe në asnjë rast nuk kanë marrë dëmshpërblim, tregon banorja e kësaj zone Vasfie Lala.

"Asnjë ndihmë nga shteti. Gjithçka që unë kam pasur më janë dëmtuar"

Të frikësuar qytetarët shprehen se dimri mund tu sjellë probleme të tjera më të shumta.

"Mora dje atë të bashkisë për të nxjerrë ujin. Ai më tha do vijmë. E kam nxjerrë fëmijën e sëmura nga uji për ta cuar te motra. Akoma pa filluar dimri, po kur të fillojë...?"

Orenditë shtëpiake thuajse kanë dalë jashtë përdorimit, ndërsa për normalizimin e situatës banorët po përdorin mundësitë e tyre.

Më të tronditur janë fëmijët, të cilët në kushte të vështira duhet të përgatiten edhe për shkollë.

Nga ana tjetër mësohet se bashkia ka ngritur grupet e punës për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

/Ora News.tv/