Oficerë sigurie në të gjithë gjimnazet e Shqipërisë

Oficerë sigurie në të gjithë gjimnazet e

Të gjithë shkollat e mesme në vend do të kenë oficer të sigurisë që prej shtatorit të këtij viti, pra me nisjen e vitit të ri shkollor. Ky projekt u pilotua fillimisht në 15 shkolla në Tiranë dhe sipas Ministrisë së Brendshme ka garantuar siguri për nxënësit.

Për këtë arsye, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla nënshkruan marrëveshjen përkatëse në në gjimnazin ''Petro Nini Luarasi'', një prej shkollave të mesme të Tiranës ku nisi aplikimi i projektit pilot. Oficerët e Sigurisë do të trajnohen në Akademinë e Sigurisë, për një periudhe intensive 1 mujore.

Xhafaj: Ne nuk dëshirojmë, nuk kemi pasur dhe nuk kemi kurrë si qëllim që të vendosim një polic, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, por ne kemi si qëllim për të ofruar më shumë siguri që të vendosim këtu, edukatorë me frymën e ligjit, edukatorë për zbatimin e ligjit, edukatorë për të parandaluar së bashku me trupën pedagogjike, së bashku në mënyrë të veçantë me psikologët e shkollave për të parandaluar fenomene negative, akte të konflikteve apo të dhunës së brendshme.

Oficerët e Sigurisë në shkolla brenda territorit të shkollës janë edukatorë, jashtë territorit të shkollës ata shërbejnë si pika lidhëse ndërmjet policisë dhe shkollës.

Ministrja Nikolla duke u ndalur në të dhënat e ofruara nga projekti pilot  tha se janë shumë inkurajuese dhe pozitive. Vetëm brenda 10 javëve, sipas ministres Nikolla, Oficerët e Sigurisë kanë ndihmuar në zgjidhjen e 80 konflikteve brenda shkollave.

Nikolla: Një tregues tjetër që unë do të doja ta evidentoja është jo vetëm përcjellja e informacionit që kam marrë nga drejtuesit e shkollave, nga mësuesit dhe nga prindërit, por edhe një trend zbritës në rrafshin e konflikteve. Nëse shikojmë raportimet shumë serioze që vijnë dhe nga shkollat dhe nga oficerët e sigurisë, në javët e para numri i konflikteve ka qenë shumë më i madh, gjë që ka ardhur çdo muaj në zbritje, duke treguar edhe njëherë besimin në rritje, por ajo që është objektivi kryesor i këtij projekti, shkollat janë më të sigurta.

Për drejtoreshën e Shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi" Teuta Bracaj, por edhe për nxënësit, oficerët e sigurisë kanë sjellë një impakt pozitiv.

EMISIONET