Një Ministër për çdo Universitet

Një Ministër për çdo Universitet

Kryeministri, Edi Rama, ka bërë përgjegjës rektorët dhe dekanët për situatën në arsimin e lartë. Duke u kërkuar propozime për verifikimin e titujve shkencore, Rama paralajmëroi se mund të dilte dhe vetë në protestë nëse nuk do të kishte reagim. Nga ana e saj, ministrja Besa Shahini, u ngarkoi dhe një tjetër detyrë ministrave. Secili prej tyre  do të ketë në patronazh një Universitet.

Pas më shumë se një muaj e gjysmë nga nisja e protestave të studentëve, kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e re e Arsimit Besa Shahini në prani të disa studentëve, rektorëve dhe dekanëve ka prezantuar paktin për Universitetin.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë bëri përgjegjës drejtuesit e arsimit të lartë për situatën.

Sa i përket plagjiaturave, ai kërkoi prej tyre dhënien e një zgjidhjeje. Madje për ta kishte dhe një paralajmërim.

Rama: Merreni përgjegjësinë dhe na thoni, çfarë doni nga ne. Ne dimë çfarë duan studentët dhe do i bëjmë një për një. Se çfarë doni ju, ne nuk e kemi kuptuar akoma, ose më saktë, unë e kam kuptuar, por nuk kam ndërmend ta them akoma. 

Mos prisni ditën, kur do bashkohem unë me studentët e të vij përballë jush dhe t’u them studentëve se çfarë, në fakt, ju nuk doni. Nëse unë e kam gabim këtë që mendoj, aq më mirë akoma. Ju bëhuni bashkë tani dhe ndajeni këtë punë.

 Do të mbarojë historia e doktorëve të shkencave që vetëm me shkencën nuk kanë lidhje, apo nuk do mbarojë? A fillon në vitin ’55-së, në vitin ’65-së, në vitin ’85-së, në vitin ’95-së, apo fillon në vitin 2005 a 2015-të, këtë do t’ua thoni ju studentëve, jo ne. Ne nuk kemi problem.

Ministrja Shahini e ka cilësuar paketën prej 30 faqesh si një propozim fillestar, teksa riktheu propozimin e patronazhit, ku një Ministër do të ketë në kujdes një Universitet.

Besa Shahini: Është vendosur për një marrëdhënie të re mes Universiteteve e Fakulteteve dhe Ministrive, një formë patronazhi që në fushat e veprimtarisë të Ministrive të ndryshme të jenë gjithësesi të përfshira pastaj edhe Universitetet dhe Fakultetet që përshtaten.

Belinda Balluku: Para se të merrja zyrtarisht këtë pozicion bashkë me kolegun tim zotin Gjiknuri kam qenë dhe kam vizituar dhe jam ulur e kam biseduar gjerë e gjatë në Fakultetin e Inxhinierisë dhe në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Pavarësisht prezantimit të projektit, në 4 Fakultete në Tiranë dhe në Korçë, vazhdon ngujimi i studentëve.





EMISIONET