“Ngrijnë” Shtetet e Bashkuara, raportohen 21 viktima

“Ngrijnë” Shtetet e Bashkuara, raportohen 21 viktima

I ftohti ekstrem që ka mbërthyer Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara ka sjellë temeperatura polare, të cilat kanë mbërritur deri në minus 29 gradë. Kushtet e vështira atmosferike kanë bërë që Nju Jorku të shpallë gjendjen e emergjencës, ndërkohë që numri i viktimave për shkak të motit ka mbërritur në 19.

Bregu Lindor i Amerikës Veriore vijon të dridhet nga i ftohti rekord, teksa dëbora e të ashtuquajturit “cikloni bombë” ka mbërritur deri në Florida. Në pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, temperaturat kanë zbritur në nivele ekstreme, minus 29 gradë, ndërkohë që erërat kanë krijuar ndjesinë e temperaturës minus 67 gradë gjatë natës.

Furia e erës ka çuar në ndërprerjen e energjisë elektrike për dhjetëra mijëra banorë në Kanada, ndërkohë që mijëra borëpastruese po punojnë për të hequr dëborën nga rrugët përqark mbarë Bregut Lindor amerikan. Acari ka shkaktuar kaos në qarkullim si dhe ka çuar në anulimin e mijëra fluturimeve gjatë të enjtes dhe të premtes.

Në këto kushte, guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme për shtetin gjatë javës, ndërkohë që apeloi tek qytetarët të shmangin qarkullimin në rast se nuk është i nevojshëm. I njëjti apel erdhi edhe nga kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio i cili theksoi se përparësi ka ruajtja e sigurisë publike. Moti ekstrem është përgjegjës për të paktën 19 viktima në Shtetet e Bashkuara dhe 2 në Kanada.

EMISIONET