Premtimet për bashkëpunimin Shqipëri – Kosovë janë të shumta, por barrierat mes dy vendeve mbetet ende të larta. Kreu i dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë deklaron se nuk është zbatuar asnjë marrëveshje e bërë midis dy qeverive dhe barrierat vijojnë të jenë prezente si në anën shqiptare ashtu edhe në atë Kosovare. Jaka shpreson se fitimi i zgjedhjeve nga Albin Kurti mund të sjellë diçka konkrete.

Të zgjedhurit e rinj politikë në Kosovë kanë premtuar intensifikim të marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kosovë.

Pavarësisht kësaj tregtia midis dy vendeve po përballet me barriera nga të dyja vendet. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka deklaron se akoma edhe më shqetësues është fakti se midis dy vendeve përdoren ende çmimet e referencës.

Jaka: Pjesa e skanimit, pjesa e taksës në rrugën e Kombit si dhe  kemi të bëjmë me disa procedura burokratike që kanë të bëjnë me vonesat në terminalet doganore.

Sipas Jakës pavarësisht marrëveshjeve dhe mbledhjeve të përbashkëta deri më tani nuk është zbatuar asnjë prej tyre.

Jaka: Fatkeqësisht politika kombëtare shqiptare është e mbërthyer në retorikën e folklorizmit dhe premtimeve apo dhe marrëveshje fatkeqësisht të nënshkruara, por të pa implementuara. Konkretisht na është premtuar një zëri nga të dy qeveritë që në 1 qershor do kemi njohjen e certifikatave fitozanitare për të dy vendet. Jo vetëm që nuk është njohur, por nuk kthehet më përgjigje.

Sipas të dhënave të INSTAT gjatë këtij tetë-mujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë është Kosova  me 19,7 %, e ndikuar kjo edhe nga taksa e vendosur ndaj mallrave serbe.

Gjatë periudhës janar-gusht të 2018  drejt Kosovës, Shqipëria ka eksportuar 16.8 mld lekë mallra  ndërsa gjatë këtij viti janë eksportuar 21.1 mld lekë me një rritje prej rreth 5 mld lekësh.

EKSPORTET DREJT KOSOVËS

Janar-Gusht 2018         16.8 mld lekë

Janar-Gusht 2019         21.1 mld lekë

/Ora News.tv/