Moszbatimi i reformës në drejtësi dhe simodos mosngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë duket se do fusë në debat pozitën dhe opozitën në kushtet kur mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon në 4 dhjetor. Burime të Ora News bëjnë me dije se PD de LSI janë duke u rakorduar që në këto kushte kur me ligjin e ri nuk zgjidhet dot Prokurori i ri atëherë të kërkojnë zbatimin e mandatit 7 vjeçar për kreun e akuzës që do të thotë qëndrimin e tij edhe me dy vite të tjera.


4 dhjetori është dita kur Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llallës i mbaron mandati, e pikërisht ky moment pritet që të përfshijë në debat qeverinë me opozitën. 


Ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi kanë sjellë një vakum institucional, kjo për faktin se ende nuk është ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë.  


Në bazë të nënit 148 pika 2, këtij institucion me ndryshimet kushtetuese i lind e drejta e hapjes së procedurës dhe dërgimit në Kuvend të një liste me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.


“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit”.


Në kushtet kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është ngritur, mbeten dy rrugë për tu ndjekur për zgjidhjen e këtij ngërçi; ose do të zgjatet mandati i Prokurorit Adriatik  Llalla ose parlamenti do të ndërhyjë përmes një mekanizimi ekstra ligjor për të komanduar një Kryeprokuror deri në krijimin e institucioneve të reja të KLGJ dhe KLP.


Ky është momenti kyç që ndan palët, pasi edhe sepse nuk ka një vendimmarrje konkrete dhe dy kampet kryesore opozitare PD dhe LSI po konsultohen me ekspertët ligjore dhe anëtarët e Komisionit të ligjeve, kërkesa më e mundur pritet të jetë  shtyrja e mandatit të prokurorit aktual, kjo për një periudhë dy vjeçare duke e çuar mandatin e shefit të akuzës në 7 vjet aq sa parashikon Kushtetuta e re.

“Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”.


Mazhoranca mbron variantin e dytë, komandimin një prokurori të ri deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor.  


/Oranews.tv/

 

/Ora News.tv/