Rreth 2 miliard dollarë është humbja në ekonominë shqiptare për shkak të koronavirusit për periudhën mars-prill. Por për Konfindustrinë rreth 400 milion dollarë janë humbje për shkak të keqmenaxhimit nga qeveria.

Buxhuku: 1.2 miliardë dollarë janë humbje nga ekonomia formale, 2 miliard dollarë janë humbje të ekonomisë kombëtare duke futur dhe ekonominë joformale që zë jo më pak se 40% të prodhimit të brendshëm bruto. Duke bërë skenarët krahasues me masat që u ndoqën në vende që kishin rezultate më të mira se Shqipëria në aspektin shëndetësor, si Bullgaria, Greqia dhe Kroacia, që kishin masa shumë më të lehta, doli që 350-400 milion janë humbje që janë të drejtëpëdrejta nga menaxhimi jo profesional i krizës që i është bërë në Shqipëri.

Çdo kufizim i lëvizjes së qytetarëve, çdo mbyllje dhe kufizim aktiviteti të biznesit përkthehet në faturë financiare. Duke e krahasuar skenarin shqiptar me skenaret e vendeve të tjera del përfundimi se në Shqjpëri nuk kemi pasur masa përpjestimore me rrezikun shëndetësor që kishim, që ishte i një niveli shumë të ulët për të mos thënë inekzistent.

Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, në në intervistë për Rtv Ora thotë se sa më shumë zgjaten masat kufizuese, aq më shumë rritet kjo faturë.

Buxhuku: Çdo orë dhe çdo ditë që kalon me masa shtrënguese qoftë për aktivitete të ndryshme të biznesit dhe lëvizjen e qytetarëve do ta rrisë këtë faturë. Fatura rritet çdo minutë. Nëse për fundin e prillit kishim llogaritur 2 miliard dollarë ajo në vazhdimësi do të rritet nëse ne nuk kalojmë me shumë shpejtësi drejt normalizimit. Humbjet shtohen pambarimisht.

E gjithë kjo barrë financiare rëndon te xhepi i qytetarëve dhe biznesit ndaj dhe Buxhuku ka një këshillë për qeverinë.

Buxhuku: Të gjithë këto humbje për 1 muaj e gjysmë janë fatura që paguhen nga xhepat e qytetarëve dhe biznesit. Më e pakta që mund të bëjë ky shtet është të kalojë kalimin në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të mos rritet në mënyrë të paarsyeshme më tepër.

/Ora News.tv/