Një vjetori i vrasjes së ekstremistit grek Kostandinos Kacifas u përkujtua në Bularat të Gjirokastrës përmes deklaratave nacionaliste.

E ëma e Kacifas mbi varrin e të birit duke folur greqisht u betua për hakmarrje ndërsa ka thënë se jugu i Shqipërisë është tokë greke.

Nena e Kacifas: “Tradhtarët. Përse i ndaluan njerëzit të vijnë? Se janë tradhtarë. Thyejuni turinjtë, vrajini, shfarosini. Janë tradhtarë. Nuk ka qeveri këtu. Vorio Epiri është tokë greke, ne jemi grekë. Do luftojmë dhe asgjë nuk do na ndalë. Jam krenare për ty biri im!” 

Deklaratat për Kryetarin e PBDNJ-së Vangjel Dule nuk duhet të shihen me shqetësim pasi vijnë nga dhimbja e një nëne që e ka humbur të birin.

"Mos komentoni të thënat e një nëneje në dhimbjen e humbjes së të birit"

Dule tha se vrasja e Kacifas mbetet ende e pazbardhur ndërsa hodhi akuza për terrorizim të minoritetit grek në Bularat.

"Kujt i intereson që kjo ngjarje të mbetet e pazbardhur? E vërteta shëron dhe është e vetmja për të cilën duhet të insistojmë"

Më herët Kryetari i Shoqatës Omonia, Fredi Bejleri tha se masat e marra nga policia nuk janë tregues për demokracinë.

Në orët e para të mëngjesit, gazetarët shqiptarë janë përballur me familjarët e Kacifas të cilët kërkuan që mesha të mbahej pa prezencën e tyre.

Tetë shtetas grekë, të shpallur “nongrata” u ndaluan të hynin në territorin shqiptar për ceremoninë e përkujtimit. Prej disa ditësh në Bularat janë marrë masa të forta sigurie për ndalimin e ekstremistëve grekë për të evituar incidentet e mundshme. Kostandin Kacifas humbi jetën një vit më parë pas shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA

/Ora News.tv/