Negociatat, Holanda kërkon më shumë progres nga Shqipëria

Negociatat, Holanda kërkon më shumë progres nga Shqipëria

Metodologjia e re e zgjerimit e propozuar nga Komisioni Europian u mbështet nga ministrat e Punëve të Jashtme. Gjatë një takimit në Bruksel u theksua se reforma e metodologjisë së pranimit duhet të zhvillohet paralelisht me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shumica e vendeve të BE-së janë kundër ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. 

Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian mbështetën metodologjinë e re të zgjerimit të propozuar nga Komisioni Europian, ndërsa nuk morën ndonjë vendim pasi ekzekutivi nuk ka përfunduar ende raportet vlerësuese për reformat e Shkupit dhe Tiranës.

Gjatë takimit u përsërit se reforma e metodologjisë së pranimit duhet të zhvillohet paralelisht me hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ndërkohë raportet vlerësuese për të dy vendet priten javën e ardhshme, mes dy dhe pesë marsit.

Sekretarja Kroate e Shtetit për Çështje Europiane Andreja Metelko-Zgombić, tha se qëllimi i presidencës është hapja e negociatave me të dy vendet njëherësh.

“Komisioni po pret tani përditësimet mbi procesin e reformave në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i presidencës është t’i hapë rrugën, mbi bazën e këtyre përditësimeve dhe metodologjisë së re, diskutimit gjithëpërfshirës me një qasje pozitive për vendimin e negociatave për këto dy vende.”

Ndërsa ministri i Jashtëm holandez Stef Blok, ndërsa vlerësoi progresin e shënuar nga Maqedonia e Veriut kërkoi më shumë progres nga Shqipëria, sidomos për çështjet e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.

Gjithsesi ai nënvizoi se gjatë takimit të së martën nuk është diskutuar për çështjen e negociatave dhe se Holanda po pret raportin vlerësues të Komisionit.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar të gjitha kriteret formale, ndaj dhe autoritetet shpresojnë se ato do të merren parasysh në favor të fillimit të negociatave gjatë këtij viti.

Çështja e negociatave do të rimerret në shqyrtim gjatë samitit të udhëheqësve më 26 dhe 27 mars.

Në Bruksel, por edhe në Tiranë dhe Shkup ka më shumë optimizëm për fillimin e negociatave pasi kreu francez Emmanuel Macron tha se Parisi do ta heqë veton nëse raportet vlerësuese janë pozitive.

EMISIONET