Përndjekje, tortura, ekzekutime......

Këto ishin disa nga orientimet e drejtuesve të shtetit komunist për më shumë se 45-vite, duke sjellë eliminimin e intelektualëve dhe atyre që ngritën zërin kundër regjimit totalitar, që izoloi vendin për gati gjysmë shekull.

Një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë, mbetet ajo mes viteve 1945-1991, ku nga regjimi komunist u ekzekutuan me pushkatim jo pak, por 6380 persona të cilët kishin shprehur bindjen e tyre kundër mënyrës sesi vendi po drejtohej nga Enver Hoxha.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 28 vite nga ardhja e demokracisë, më shumë se 4500 personave të ekzekutuar në disa qytete të vendit, ende nuk u janë gjetur eshtrat, çka për familjarët dhe pasardhësit e tyre, mbetet një plagë e hapur.

Nga kërkimet dhe hulumtimet që kanë bërë familjarët e të ekzekutuarve, deri tani janë gjetur eshtrat e 2380 personave, por fati i shumë të tjerëve ende nuk dihet.

I tillë është edhe rasti i babait të Lirim Llanajt.

Lirimi rrëfen, se babai i tij ka qenë partizan dhe më pas u arsimua si oficer, por dalja kundër Enver Hoxhës, i kushtoi shumë shtrenjtë.

Lirimi thotë, se ai u pushkatua në vitin 1946, nëna e tij përfundoi në çmendi ndërsa ai bashkë me vëllain u rritën jetimë.

Prej dekadash ai thotë se i ka kërkuar eshtrat e babait, por deri tani askush nuk i ka dhënë informacion për vendin ku ai u ekzekutua.

Megjithatë, Lirimi dhe i vëllai kanë ndërtuar një varr, por pa eshtra brënda, në kujtim të babait të tyre.

Të njëjtin “fat” ka pasur edhe Gjoç Gjoçi, babai i të cilit u ekzekutua në Vlorë në vitin 1947, si një nga ushtarakët që dolën hapur kundër regjimit të Hoxhës.

Gjoçi thotë, se me të njëjtën mënyrë të babait të tij, u ekzekutua edhe xhaxhai, por ndonëse kërkimet nuk i ka ndalur, asnjëherë nuk i gjeti dot eshtrat e tyre.

Lirimi i bën apel institucioneve shtetërore që të nxjerrin nga arkivat hartat e Sigurimit të Shtetit si dhe të ngrihet një përmendore në kujtim të këtyre personave, eshtrat e të cilëve nuk gjenden.

Regjimi diktatorial përveç intelektualëve, që u pozicionuan kundër tij, nuk kurseu edhe njerëzit e fesë, ku i përndoqi, i torturoi dhe i ekzekutoi.

Një rast flagrant është ai i një prifti në Përmet, i cili ndonëse kishte kontribuuar edhe në hapjen e shkollave shqipe në zonë, u akuzua si spiun grek dhe u ekzekutua.

Nipi i tij, Vangjush Çuçolli, rrëfen se gjyshi kishte mbajtur qëndrime kundër regjimit komunist dhe për këtë u ekzekutua në vitin 1946.

Eshtrat e tij, Vangjushi thotë se i ka kërkuar, ndërkohë që ka trokitur në të gjitha institucionet, por asnjëri prej tyre nuk i ka dhënë informacion për vendin e ekzekutimit.

Sipas të dhenave, varret e të pushkatuarve pa gjyq në vitet 1945-1991 kryesisht janë zhvendosur, për të humbur gjurmët dhe të dhënat gjenden në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Pra, nëse dikush është ekzekutuar pa gjyq dhe është vendosur njëherë në një vend, me shumë gjasë, për të humbur gjurmët, eshtrat janë rivendosur.

Gjatë dy dekadave të fundit, janë bërë shumë përpjekje që të gjithë personat e ekzekutuar nga sistemi komunist të mund të kenë një varr, në mënyrë që familjarët e tyre t’i kujtojnë ata dhe veprat e tyre.

Por këto kanë qenë individuale dhe shpesh të pasuksesshme e zhgënjyese.

Kjo, sepse mungojnë shumë të dhëna, për vendndodhjen e varreve masive, si dhe informacione të tjera që bëjnë të mundur identifikimin e tyre.

Besim Ndregjoni, kreu i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, thotë, se gjatë kohës së diktaturës komuniste, procesi i eliminimit të të dënuarve politikë ka qenë shumë i rregullt.

Ai shprehet, se shënohej vendi i ekzekutimit, i dënuari, deri edhe tek emrat që morën pjesë në skuadrat e pushkatimit dhe këto të dhëna janë ende të ruajtura, por institucionet nuk japin të dhëna.

Qëllimi i regjimit ishte që duke përçuar frikën, ata kishin mundësi që ta kishin popullin në kontroll. Të gjithë personat të cilët dënoheshin me vdekje me pushkatim,varroseshin në mënyrë të fshehtë, duke i hequr mundësinë familjes që të merre trupin e tyre.

Viktimat ishin pa varr dhe familja e tij nuk mund të shkonte në vendin ku ai ishte varrosur për ta kujtuar. Me këtë veprim, regjimi jepte mesazhin që jo vetëm që të vriste, por edhe të zhdukte, që të mos të kujtoheshe, që vepra mos të kujtohej nga të afërmit e njerëzit e tjerë.

Familjarët e viktimave kanë bërë vetë kërkime për gjetjen e eshtrave të të afërmve të tyre të vrarë. Por kjo është tepër e vështirë, pasi përveç shpenzimeve të mëdha, shpesh të dhënat nuk janë të sakta.

Ndregjoni, kërkon që institucionet si Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykatat të hapin dosjet dhe të nxjerrin të dhënat që janë brenda tyre, për gjetjen e vendit të ekzekutimit të të pushkatuarve.

Ai thekson, se një numër i konsiderueshëm personash janë pushkatuar dhe eshtrat e tyre regjimi i kohës i hodhi në lumenj, duke zhdukur çdo gjurmë.

Ndregjoni kërkon hartimin e një ligji të posaçëm.

Ndregjoni thekson domosdoshmërinë e ngitjes së një parcele kujtese, ku të shkruhen emrat e të gjithë personave të pushkatuar, jo për hakmarrje, por për të respektuar kontributin e tyre

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, vitin 2018 e ka shpallur si vitin e gjetjes së eshtrave të të pushkatuarve.

Përveç hapjes së varreve masive në territorin shqiptar, ku fshihen rreth 4 mijë skelete të të dënuarve politikë të vrarë nga regjimi, një çështje me rëndësi është edhe hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Brenda tyre ka informacione të plota, të cilat ndihmojnë në marrjen e të dhënave të sakta për të gjithë personat e ekzekutuar. Megjithatë ky proces ka ngelur në vend. Kjo, për shkak të problemeve teknike midis partive politike.

Hapja e këtyre dosjeve është me rëndësi për të gjithë të afërmit e të zhdukurve, të cilët më në fund do të kenë mundësi që të gjejnë eshtrat e tyre dhe të kenë një vend ku t’i nderojnë.

Kohë më parë u diskutua mes përfaqësuesve të partive politike në lidhje me këtë çështje, por nuk u arrit që të gjendej një marrëveshje.

Ndërkohë që edhe ndërkombëtarët kanë ofruar ndihmën e tyre në lidhje me modelin se si duhet të kryhet ky proces. Por nëse faktorët politikë nuk do të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët, atëherë kjo do të penalizojë edhe familjarët e viktimave të komunizmit, të cilët do të duhet të përballen me shumë zhgënjime nga kërkimet e kryera në mënyrë individuale.

Çela thekson, se grupi i punës i ngritur në Partinë Demokratike, synon që të vërë në zbatim disa iniciativa, që kanë të bëjnë me: kërkimin e eshtrave me pajisje të teknologjisë së fundit si dhe vendosjen e disa pllakadave memoriale në disa prej kampeve të internimit, në të cilat do të shkruhen emrat e personave që jetuan brenda tyre.

Etapa e parë e ekzekutimeve, ka qenë kur Enver Hoxha mori pushtetin pas vitit 1943. Ai filloi që të eliminonte që të gjithë personat, të cilët ishin kundër tij, gjatë periudhës së luftës. Kështu nisën eliminimet e të gjithë intelektualëve, ata që ishin shkolluar jashtë, në universitetet perëndimore, ish-administrata e mbretit Zog, si dhe persona të tjerë të cilët paraqisnin rrezik për Hoxhën.

Më pas, etapa e dytë ka qenë në vitin 1947, kur diktatura nisi vrasjet e të gjithë personave, që ishin kundër komunizmit, kundër ish-Jugosllavisë si dhe armiqtë e tjerë të diktaturës.

Ndërsa etapa e tretë ka qenë ajo e viteve ‘60-‘70, ku filloi goditja e të gjithë intelektualëve shqiptarë, të cilët ishin shkolluar në vendet komuniste të Lindjes. Ndaj tyre u mor masa e fundit nga ana e diktaturës.

/Ora News.tv/