Ndryshimi i sistemit kusht i panegociueshëm, Murrizi: Takime intensive që të mos na rrëshqasin deputetët

Ndryshimi i sistemit kusht i panegociueshëm, Murrizi: Takime intensive

Opozita parlamentare mbetet e vendosur për të kushtëzuar votimin e  saj në Kuvend me ndryshimin e sistemit.

Deputeti, Myslim Murrizi, i ftuar në RTV Ora tha se kanë intensifikuar takimet mes tyre përgjatë këtyre ditëve të para të janarit në mënyrë që të jenë të unifikuar dhe të mos kenë rrjedhje deputetësh.

Edhe pse shumica insistojnë te listat e hapura, Murrizi nuk është i prerë për llojin e sistemit duke ja lënë zgjedhjen edhe opozitës politike, mjafton që të mos jetë më ky sistem që është.

Murrizi: Nuk do të votoj si një nga 7 anëtarët e komisionit të reformës zgjedhore se 14 jemi gjithësej, asnjë buzëkuq dhe arnim të kodit zgjedhor nëse nuk merret seriozisht nga 7 anëtarët e mazhorancës ndryshimi i sistemit zgjedhor, i këtij sistemi që është thjesht votues.Po intensifikojmë takimet mes vetes së pari për të mos na rrëshqitur ata deputetët që ju thatë se kanë votuar pro qeverisë. 

Nuk e di si është bërë ky studim se për marrëveshjet ndërkombëtare kam votuar dhe unë, si dhe pesë ligjet e sistemit të reformës në drejtësi. Jemi mbledhur këto ditët e para të janarit për të unifikuar qëndrimin tonë në bllok prej 41 deputetësh për të pasur kusht të panegociueshëm ndryshimin e sistemit zgjedhor. 

Pastaj hajde të shkojmë te cili sistem të dojë ndoshta dhe pjesa e opozitës që ka ligjërisht vulën, tagrin, që është jashtë parlamentit. Nëse duan mazhoritar, lista të hapura rajonale, por jo ky. Këtu tallen dy kryetarë partie e gjysmë me 3 684 000 votues shqiptarë.


EMISIONET