Ndryshime në qeveri? Vendosen më 7 shtator. Rama mbyll takimin në Vlorë

Ndryshime në qeveri? Vendosen më 7 shtator. Rama mbyll takimin në

Për gati 3 orë kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar u mblodhën paraditen e sotme në vilën qeveritare të Vlorës. 

Siç u paralajmërua në mbledhjen e Asamblesë të fundprillit kjo periudhë i shërbente shefit të qeverisë për të vlerësuar përmbushjen e objektivave nga ministrat e tij dhe vendosjen e piketave për vitin e ardhshëm.    

Burimet i thanë Ora News se gjatë mbledhjes së sotme, kryeministri nuk ka dhënë shenja pakënaqësie ndaj ministrave të tij dhe nuk ka dhënë asnjë indicie për ndryshim kabineti por vetëm ka bërë vlerësim të performancës të secilit dikaster qeverisës. 

Me këtë takim mbyllet dhe mbledhja dy ditore në rezidencën qeveritare në Vlorë që i paraprin nisjes së sesionit të ri politik. 

Asambleja me 7 shtator

Kjo ishte mbledhja e fundit para se kryeministri të vendosë nëse do të ketë ndryshime në qeveri nga shtatori apo do të konfirmohet besimi tek ministrat aktualë. 

Pas mbledhjes me ministrat Rama u takua për një kafe me kreun e grupit parlamentar Taulant Balla dhe kryetarin e parlamentit Gramoz Ruçi ku u vendos  që e premtja e 7 shtatorit do të jetë mbledhja e radhës e Asamblesë së PS-së.  Sipas gjasave Rama në mbledhjen e Asamblesë do të bëjë performancën e ministrave të tij dhe të shpalosë objektivat për vitin e ardhshëm. Gjithashtu do vendosë nëse ndonjë ministër do i lërë vendin ndonjë tjetri.



EMISIONET