Ndërkallje e "360gradë" - Pretendimet e Dick Martit: Thaci dhe Veseli mbikëqyrën personalisht vrasjet
Gjykata Speciale e Hagës, e cila bëri publike dy aktakuzat e para, ndaj Hashim Thacit dhe Kadri Veselit, për krime lufte gjatë viteve 1998-1999, është krijuar mbi bazën e raportit të senatorit zviceran Dick Marty, i votuar edhe në Këshillin e Evropës. Ky raport merr shkas nga njoftimet e botuara në librin e ish-kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavi, Carla del Ponte, me titull “Gjuetia – Unë dhe kriminelët e luftës”. Në këtë libër flitet për trafikim organesh njerëzore që u janë marrë robërve serbë, trafikim i cili, siç thuhet në libër, ishte i organizuar nga drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këto pretendime ishin tronditëse dhe ngjallën reagime të ashpra. Dick Marty, në raportin e tij, Thaçin e identifikon si “kumbara” i rrjetit kriminal të njohur si “Grupi i Drenicës”. Sipas Martyt, ky grup i drejtuar nga Thaçi e përforcoi në përmasa fenomenale mbështetjen e tij mbi veprimtaritë kriminale të organizuara gjatë kohë kur këto lulëzuan në Kosovë e në Shqipëri. Ndër ta figurojnë Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla e Fatmir Limaj. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit, secili prej tyre ka qenë objekt akuzash të shumta pas dyshimesh për krime lufte. Deri më sot, ata të gjithë i kanë shpëtuar çdo drejtësie efektive”, shkruan në raportin e Martyt.
Shumë vrasje pretendohet të jenë mbikëqyrur edhe nga vetë Thaçi, Veseli dhe të tjerët. Sipas Martyt, gjithçka të lë të besosh se këta individë do duhej të ishin dënuar për krime të rënda dhe do duhej të vuanin ndëshkime afatgjata burgimi nëse mosndëshkimi i tyre nuk do qe siguruar nga dy faktorë tronditës: “Në radhë të parë, me sa duket, ata kanë arritur të eliminojnë apo të detyrojnë me heshtje nëpërmjet frikësimit pjesën më të madhe të dëshmitarëve të mundshëm apo të vërtetuar (si armiqtë e tyre, ashtu dhe aleatët e vjetër), duke përdorur dhunime, kërcënime, shantazhe dhe allishverishe; së dyti, ka pasur një mungesë vullneti politik nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të goditur seriozisht ish-drejtuesit e UÇK-së”.
“Kjo me sa duket e ka lejuar Thaçin – e rrjedhimisht edhe anëtarët e tjerë të “Grupit të Drenicës” – të përfitojnë nga pozita e tyre dhe të grumbullojnë pasuri personale pa lidhje me veprimtaritë e tyre të deklaruara”. Aty më tej shkruan se haraçi i rëndë i viktimave paguar nga popullsia shqiptare e Kosovës, në mënyrë të veçantë më 1998 dhe në fillim të 1999-s, para dhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s, e kishte acaruar komandën e UÇK-së në Shqipëri. Sipas Martyt, kur policia serbe dhe forcat paraushtarake u tërhoqën në qershor 1999, njësitë e UÇK-së të vendosura në veri të Shqipërisë u përhapën në Kosovë me objektivin e shpallur për të “siguruar territorin”, por edhe të nxitur nga një ndjenjë e papërmbajtshme zemërimi e, le ta themi hapur, hakmarrjeje ndaj të gjithë atyre që dyshoheshin prej tyre se kishin marrë pjesë në shtypjen e popullsive të etnisë shqiptare.
Marty kishte kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare – që prej qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera perëndimore aleate e deri tek autoritetet gjyqësore që ushtrojnë veprimtaritë e tyre nën tutelën e Bashkimit Evropian – se përkundër zotërimit të të njëjtave informacioneve për “gamën e krimeve” të bëra nga “Grupi i Drenicës”, asnjë prej tyre nuk ka treguar gatishmëri për t’i ndjekur penalisht përgjegjësit.