'Ndarja e Kosovës për herë të parë u diskutua në darkën e Edi Ramës në Beograd në vitin 2016'

Avokati Dastid Pallaska në një intervistë për gazetën "Zëri" thotë se po krijohet përshtypja se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vetëm se janë pajtuar për rezultatin përfundimtar të dialogut, përkatësisht shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, ndarja e Kosovës për herë të parë u diskutua në darkën e Edi Ramës me liderët serbë në Beograd në vitin 2016

Zhvillimi i fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë në këtë "stuhi" të marrëdhënieve ndërkombëtare është ndërmarrje vetëvrasëse për interesat shtetërore të Kosovës. Kështu vlerëson avokati Dastid Pallaska në një intervistë për gazetën "Zëri". Sipas tij, trazirat e krijuara në aleancën euro-atlantike, së bashku me agresionin kibernetik të Rusisë kundër demokracive perëndimore paraqesin një mundësitë artë dhe të papërsëritshme për Serbinë për të rihapur, dhe rivendosur në dobi të vet, kauzat e humbura si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë. Prandaj, Pallaska vlerëson se Kosova nuk duhet të ngutet në dialogun me Serbinë, dhe se ky proces të vazhdohet në kohën kur në arenën ndërkombëtare krijohet një klimë më e përshtatshme për Kosovën.

Ndërsa, duke komentuar deklarimet e Presindetit Hashim Thaçi dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq për “kompromise të dhimbshme,” Pallaska ka thënë se me këto deklarata krijohet përshtypja se dy presidentët vetëm se janë pajtuar për rezultatin përfundimtar të dialogut, përkatësisht shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, e vetmja fuqi botërore që ka ndarjen apo shkëmbimin e territoreve pjesë të politikës së vet zyrtare është Rusia.

Në këtë intervistë, Pallaska poashtu ka thënë se ndarja e Kosovës për herë të parë është diskutuar në darkën që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pasur në vitin 2016 me liderët shtetërorë serbë në Beograd.

Deklarata e Thaçit dhe Vuçiqit, tejet shqetësuese

Zëri: Tashmë ka filluar faza finale e dialogut të Brukselit, cilat janë pritjet e juaja për këtë proces?

Pallaska: Paralajmërimet dramatike në lidhje me fazën përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi, të cilat i kemi dëgjuar ditëve të fundit nga Presidenti i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë, janë tejet shqetësuese. Jo vetëm për faktin se po hapen tema që janë mbyllur përfundimisht pas pavarësimit të vendit dhe njohjeve të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe vendimin afirmativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por edhe për shkak se Presidenti i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë duket se kanë informata për rezultatin përfundimtar të dialogut.

Përkatësisht, të dy presidentët flasin – pothuajse në mënyrë të sinkronizuar – për “kompromise të dhimbshme,” të cilat pas sqarimeve shtesë duket se kanë të bëjnë me marrëveshje për ndryshim të kufijve. Në këtë mënyrë krijohet përshtypja – shpresoj e gabuar – se dy presidentët vetëm se janë pajtuar për rezultatin përfundimtar të dialogut, përkatësisht shkëmbimin e territoreve, dhe se procesi i dialogut që pritet të filloj së shpejti do të jetë thjeshtë një fushatë mediale për të bindur opinionet publike në të dy vendet për “marrëveshjen” e arritur ndërmjet dy presidentëve.

Është e pakuptueshme që Presidenti i Kosovës po e konsideron zhvillimin e fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë pikërisht në një periudhë kohore kur konsideratat gjeopolitike janë qartazi në favor të Serbisë. Duket se Presidenti Thaçi ka haruar se liria dhe pavarësia e Kosovës ishin, para se gjithash, rezultat i një rendi të caktuar botëror i udhëhequr nga aleanca euro-atlantike dhe i bazuar në vlerat si promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe integrimi.

Aktualisht, ky rend botëror është i trazuar seriozisht jo vetëm për shkak të tensioneve në rritje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropian por edhe si pasojë e veprimtarisë së fshehtë armiqësore të Rusisë kundër proceseve demokratike në shtetet perëndimore në të dy anët e Oqeanit Atlantik, të cilat përveç ndërhyrjes në rezultatet zgjedhore kanë rritur edhe jo-tolerancën përbrenda këtyre shoqërive. Trazirat e krijuara në aleancën euro-atlantike së bashku me agresionin kibernetik të Rusisë kundër demokracive perëndimore paraqesin një mundësitë artë dhe të papërsëritshme për Serbinë për të rihapur, dhe rivendosur në dobi të vet, kauzat e humbura si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë.

Zhvillimi i fazës përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi në këtë stuhi të marrëdhënieve ndërkombëtare është ndërmarrje vetëvrasëse për interesat shtetërore të vendit. Për këtë arsye, Kosova duhet ta shtyj fazën përfundimtare të dialogut derisa të stabilizohet apo rikthehet rendi botëror nën të cilin Kosova u çlirua dhe u pavarësua.

Ndarja e Kosovës për herë të parë u diskutua në darkën e Edi Ramës me liderët serbë në Beograd në vitin 2016

Zëri: A prisni që në kuadër të këtij procesi të zgjidhet edhe çështja e Luginës së Preshevës?

Pallaska: Nëse zbërthehet në thelb, çështja e Luginës së Preshevës si dhe çështjet e secilës pjesë të kombit shqiptar që mbetën jashtë kufijve të shtetit kombëtar janë çështje të të drejtave dhe lirive të njeriut, si në aspektin individual ashtu edhe në atë kolektiv. Një shekull më parë ekzistonte supozimi i gabuar se këto të drejta dhe liri për një pjesëtar të një kombi arriheshin vetëm përbrenda një shteti kombëtar. Siç e vërtetoi – ndër tjerash – Shqipëria e Enver Hoxhës, homogjeniteti kombëtar nuk siguron, më vete, shtet të së drejtës apo mirëqenie të qytetarëve.

Idetë për shtete të pastra kombëtare sot i gjejmë vetëm në ato shoqëri që ushqehen nga iluzioni se homogjeniteti etnik mund ta zëvendësoj punën e vështirë për të ndërtuar dhe mbajtur një shtet që i shërben qytetarit. Kjo shpjegon se pse këto ide promovohen vetëm nga politikan mediokër që thjeshtë nuk kanë aftësi për të qeverisur një shoqëri apo shtet. Kjo shpjegon se pse këto ide promovohen vetëm nga politikan mediokër që thjeshtë nuk kanë aftësi për të qeverisur një shoqëri apo shtet. Këto ide rishtazi u ricikluan në hapësirën politike shqiptare nga Kryeministri i Shqipërisë i cili, në përpjekje për të mbuluar keq-qeverisjen e tij, morri “përsipër” zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb. Duke qenë se nuk kishte asnjë përgatitje për këtë ndërmarrje apo ndonjë ndjenjë për qytetarët e Kosovës ai ra në kurthin e Serbisë që me vite të tëra synon diskutim në lidhje me ndarjen e Kosovës.

Interesat kombëtar nëpërkëmben pikërisht atëherë kur politikanë mediokër synojnë të zgjidhin probleme të mëdha. Tema që po bisedojmë sot është shembulli më i mirë për këtë. Përderisa në vitin 2016 opinioni në Kosovë mirëpriti kërkesën publike të Kryeministrit të Shqipërisë drejtuar Kryeministrit të Serbisë që Serbia të njoh Kosovës, pak kush e ka ditur se ndarja e Kosovës për herë të parë u diskutua në darkën private që Kryeministri i Shqipërisë kishte me udhëheqjen serbe po të njëjtën ditë, ku propozimi për ndarje u prezantua nga Ministri i Jashtëm i Serbisë. Dy vite më vonë, kjo ide depërtoi pothuajse në secilën qendër të rëndësishme të vendimmarrjes.

Ekzibicionistët politik si Kryeministri i Shqipërisë – që për pak vëmendje dhe mbijetesë politike sakrifikojnë edhe interesat kombëtar – duhet ta kuptojnë se e vetmja mënyrë për të gjithë shqiptarët të jetojnë brenda kufijve të tyre historik është Bashkimi Evropian pa kufij.

Zëri: Presidenti Thaçi po flet për korrigjim të kufijve, që sipas tij nënkupton që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës. A është e  mundshme një gjëe tillë?

Pallaska: Termi “korrigjim i kufijve” është thjeshtë figurë letrare në fjalorin e varfër të politikanëve të përfshirë në këtë debat që synon të mbuloj qëllimin e tyre të vërtetë, ndarjen e vendit.

Bashkimi i Kosovës me ndonjë shtet dhe/apo pjesë të një shteti tjetër aktualisht është i ndaluar me Kushtetutë. Përderisa kjo Kushtetutë është në fuqi, ide të tilla nuk duhet të trajtohen seriozisht -- së paku jo nëse nuk e kanë mbështetjen e shumicës kushtetuese që mund ta ndryshoj ndalesën kushtetuese për bashkim të Kosovës me ndonjë shtet dhe/apo pjesë të një shteti tjetër.   

Zëri: A do të pranonte Serbia që këto tri komuna t’i bashkohen Kosovës dhe a do të kërkonte shkëmbim me komunat veriore të Kosovës?

Pallaska: Serbia do ta konsideronte këtë ide vetëm nëse marrëveshja eventuale do të kishte dykuptimësi në lidhje me statusin e Kosovës. Përkatësisht, nëse Kosova nuk do të trajtohej formalisht dhe juridikisht si shtet ky ndryshim i kufijve do  të mund të akomodohej në sistemin kushtetues-politik të Serbisë thjeshtë si ndryshim i kufijve administrativ të një “krahine” brenda Serbisë.

Thënë këtë, edhe në këtë rast nuk besoj që Serbia do të konsideronte shkëmbimin sipas parimit “komunë për komunë.” Kjo jo vetëm për faktin se komunat në fjalë nuk janë etnikisht homogjene por edhe për shkak se Serbia nën asnjë rrethanë nuk do të pranonte që Kosova të fuste brenda territorit të vet korridorin 10, që i jep Serbisë përparësi strategjike në Evropë, e i cili është përbrenda territorit administrativ të Komunës së Preshevës. Lënia jashtë e këtij korridori të rëndësishëm e bënë të pakuptimtë edhe bashkimin sipas parimit të përkatësisë etnike. Kjo për shkak se një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në Luginën e Preshevës jetojnë përtej korridorit 10.

Shkëmbimi do të ishte po aq jofunksional edhe për shkak të faktit se shumica e serbëve në Kosovë jetojnë në jug të lumit Ibër. Zhvendosje të popujve mund të bëhet dhe është bërë vetëm në rrethana të luftës. Rrjedhimisht, është iluzore për të menduar se me heqjen dorë nga tri komunat veriore të Kosovës mund të zgjidhet problemi i pakicës serbe në Kosovë. Kjo është edhe arsyeja pse kjo ide është hedhur poshtë kur është dizajnuar shteti i Kosovës.

Zëri: A besoni se një ide e tillë do të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare?

Pallaska: E vetmja fuqi botërore që ka ndarjen dhe/apo shkëmbimin e territoreve pjesë të politikës së vet zyrtare është Rusia. Për këtë arsye, përveç Rusisë, nuk e shoh asnjë shtet tjetër që është relevant në këtë pjesë të botës që të jetë në favor të idesë së ndarjes dhe/apo shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Interesat rus janë të qartë pasi që, nëpërmjet modelit të ndarjes së Kosovës, Rusia synon të legjitimoj jo vetëm aneksimet e bëra në Ukrainë dhe Gjeorgji por edhe agresionet e modelit të njëjtë që planifikon t’i realizoj në të ardhmen në vendet përreth kufirit të vet, posaçërisht në shtetet e Baltikut.

Bashkimi Evropian duhet ta refuzoj këtë ide sepse është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me thelbin e vet dhe politikën zyrtare të integrimit të shteteve të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Qëndrimi i prerë i Kancelarës Merkel kundër ndarjes disa ditë më parë eliminoi dykuptimësitë e krijuara nga heshtja e burokratëve të Bashkimit Evropian në Bruksel ndaj deklarimeve të Presidentit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë në lidhje me këtë çështje. 

Në anën tjetër, mungesa e interesit të Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në baza ditore në zhvillimet politike në Ballkan nuk duhet keqkuptuar si aprovim i heshtur i kësaj ideje të rrezikshme. Thjeshtë, për momentin Shtetet e Bashkuara janë të konsumuara me zhvillime të brendshme politike të cilat besoj se do të stabilizohen pas zgjedhjeve për Senat dhe Kongres këtë nëntor.

Asociacioni nuk mund të ketë komeptenca ekzekutive

Zëri: Një çështje tjetër aktuale është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Draft-statuti i përgatitur nga Ekipi Menaxhues nuk do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës, por Bashkimit Evropian. A vlerësoni se kjo do ta komplikojë më shumë këtë çështje?

Pallaska: Draft-statuti i përgatitur nga Ekipi Menaxhues nuk prodhon asnjë efekt politik dhe/apo juridik dhe, si i tillë, nuk duhet të prodhoj lajm më vete. Bashkësia e komunave me shumicë serbe duhet të krijohet në pajtim me marrëveshjen e vitit 2013 e cila parasheh shprehimisht se drafti përfundimtar i statutit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe do t’i nënshtrohet vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përkatësisht Kushtetutës së vendit.

Për shkak të çështjes së iniciuar vite më parë, në të cilën kam qenë i angazhuar si ekspert (amicus curiae) i Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me këtë çështje është i qartë dhe tanimë i njohur për të gjithë. Kjo Bashkësi nuk do të ketë kompetenca ekzekutive pasi që marrja e kompetencave ekzekutive nga komunat me shumicë serbe paraqet shkelje të të drejtave dhe autorizimeve kushtetuese të këtyre komunave. Askush nuk mund të negocioj diçka përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me këtë çështje.

Kosova duhet të ketë ekip të unitetit, të mandatuar nga Kuvendi, dhe formalisht të udhëhequr nga Presidenti

Zëri: Ende nuk është arritur konsensusi në Kosovë për vazhdimin e fazës finale. A mund ta vazhdojë presidenti Thaçi këtë proces pa mbështetjen e Kuvendit?

Pallaska: Faza përfundimtare e dialogut ndërmjet Kosovës  dhe Serbisë – që duhet filloj vetëm pas pushimit të stuhisë në marrëdhëniet ndërkombëtare që po mbizotëron tani – duhet të zhvillohet nga një ekip i unitetit, i mandatuar nga Kuvendi, që garanton se marrëveshja përfundimtare merr aprovimin e shumicës së nevojshme kushtetuese në Kuvend. Ekipi i unitetit është po ashtu i nevojshëm pasi që e largon këtë çështje me interes shtetëror nga politika ditore partiake.

Formalisht ky ekip i unitetit duhet të ketë një udhëheqës. Ky udhëheqës do të jetë thjeshtë i pari në mesin e të barabartëve pasi që, si i vetëm, nuk ka asnjë peshë politike apo fuqi vendimmarrëse. Në rrethana normale, dhe nisur edhe nga praktikat e mëhershme me procesin e pavarësimit të vendit, udhëheqësi formal i ekipit të unitetit duhet të jetë Presidenti i Republikës. Thënë këtë, antagonizmat që ka krijuar Presidenti aktual gjatë karrierës së tij partiake dhe politike me të drejtë e kanë bërë atë të pa dëshirueshëm në këtë pozitë për shumicën e partive politike në vend.

Duke marrë parasysh këtë, po që se Presidenti dëshiron të ketë rolin që normalisht do të duhej t’i takonte, ai duhet të ndryshoj rrënjësisht qasjen e tij ndaj protagonistëve të tjerë me rëndësi për këtë proces historik, duke ofruar bashkëpunim pa kushte. A do të mund ta bëjë Presidenti i Republikës pas gjithë asaj që ka ndodhur mbetet e pasigurt.

Zëri: Si e vlerësoni kundërshtimin e opozitës për Thaçin e si krye-negociator?

Pallaska: Ballafaqimi përfundimtar i Kosovës me Serbinë është më i rëndësishëm se sa mposhtja politike e Presidentit aktual dhe/apo ndëshkimi i politikës që ai ka përfaqësuar dhe vazhdon ta përfaqësoj. Fundja, dialogu nuk është tema për të cilën duhet të bëhet garë politike. Për këtë arsye, të gjithë protagonistët politikë në vend duhet të gjejnë mënyrën që të tejkalojnë politikën ditore dhe që para Serbisë – kur të vjen koha e duhur – të paraqiten të bashkuar.

Lexo më shumë në:  https://www.gazetaexpress.com/intervista/ndarja-e-kosoves-per-here-te-pare-u-diskutua-ne-darken-e-edi-rames-ne-beograd-ne-vitin-2016-568576/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

EMISIONET