Vangjel Barka banues në Gjirokastër është vënë nën hetim pasi tentoi të ndërtojë një memorial grekut të vrarë nga policia shqiptare pasi hapi zjarr ndaj tyre, Kostandin Kacifas.

Me kërkesë të familjes së 35-vjeçarit, Barka kishte nisur ndërtimin e një brezi betoni, duke përgatitur terrenin ndërtimin e një memoriali pasi pas disa ditësh është dhe 1 vjetori i vdekjes se tij.

Puna për vijimin e ndërtimit u ndalua me arsyetimin se familja nuk është e pajisur me leje për kishëzën. Nga burimet mësohet se kanë qenë dy barinj që kanë pikasur punën e minoritarit duke sinjalizuar më pas autoritetet. Barka është marrë në pyetje ndërsa po ndiqet në gjendje të lirë për ndërtim të paligjshëm.

Kostandino Kacifas u vra më 28 tetor të vitit të kaluar pasi hapi zjarr drejt RENEA-s, në vendin e quajtur kodër mbi fshatin Bularat.

Mediat greke shkruajnë se autoritetet shqiptare nuk e kanë zbuluar ende raportin për vdekjen e tij.

Avokati i familjes i cituar nga gazeta greke “Ethnos” vlerëson se raporti i drejtësisë shqiptare nuk është publikuar ende me gjithë se po bëhet një vit nga vdekja e tij. Avokati Efthymis Navridis thotë se “raporti nuk do të zbardhet edhe vitin e ardhshëm. Raporti përfundimtar mbi vdekjen e Konstantinos Kacifas do të duhej të përfundonte dhe të botohej brenda tre muajve nga incidenti. Me ligj prokurori mund ta shtyjë atë edhe për tre muaj të tjerë. Tani me procedura të ndryshme ata mund ta vonojnë atë deri në dy vjet. Fatkeqësisht, nuk shoh që ai të lëshohet më herët”, thekson ai.

“Informacioni im tregon që ata duan ta paraqesin vdekjen e Kostandinit si një vetëvrasje. Ai kreu vetëvrasje për të mos u arrestuar nga policia shqiptare. Por ai mbante në duar kallashnikovin dhe në varësi të plagëve që mori nga plumbat ishte shumë e vështirë të bëhej vetëvrasje”, thotë Nauridis.

Gazeta greke shkruan se rreth dy javë më parë, për shkak të shëndetit, dha dorëheqjen Prokurori shqiptar i Krimeve të Rënda, Niazi Seferi, i cili kishte marrë përsipër çështjen e Konstantin Kacifas.

Sipas Navridis, ai është prokurori i dytë shqiptar që merr përsipër çështjen Kacifa. Nuk përjashtohet mundësia që prokurori t’i bëhet presion për çështjen dhe të japë dorëheqjen. Ai është prokurori i dytë që tërhiqet. Unë kisha folur me të parin, por ai nuk më tha asgjë në lidhje me rastin.

Gazeta greke shkon edhe me tej ne shkrimin e saj teksa pretendon se minoritarët janë të frikësuar nga policia shqiptare se do të përdorë çështjen Katsifa si pretekst për të parandaluar pakicën greke në Dropull të festojë 28 tetorin, festë kombëtare e Greqisë.

/Ora News.tv/