Milani është dorëzuar përballë një Napoli të frikshëm. Kuqezinjtë janë mundur në "San Siro" 1-2, në shtëpinë e tyre nga skuadra e Benitezit. Miqtë ishin të rrezikshëm që në fillimin e ndeshjes. Pas një gjuajtje të lirë të Callejon, topi shkoi te Raul Albiol, i cili me kokë dha një asist te Miguel Britos dhe uruguaiani nuk i dha shans Abbiatit në minutën e 6-të. Milani reagon dhe luan shumë mirë duke krijuar disa raste, por nuk arrin të gjejë golin e barazimit duke e mbyllur pjesën e parë në humbje minimale. Pas disa përpjekjeve të kuqezinjve për ta barazuar rezultatin në fillim të pjesës së dytë, skuadra e Alegrit u befasua sërish. Gonzalo Higuain mori një top nga Zuniga dhe goditi nga distanca për të dyfishuar rezultatin. Milani pati rastin e shkëlqyer për tu kthyer në lojë kur Albiol ndërhyri gabimisht me Balotellin, por Pepe Reina mbrojti goditjen e SuperMarios nga pika e bardhë. Spanjolli, bëhet portieri i parë që nga koha kur Mario luan futboll profesionist, që i pret një penallti. Rastet e vendasve nuk patën të ndalur deri në fund, ndërsa Balotelli arriti që të ngjallte shpresat e tifozëve me një gol në minutën e parë shtesë.  Dy mesfushorët shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën, Blerim Xhemaili dhe Valon Behrami, luajtën nga minuta e parë. Kjo është fitorja e parë e Napolit që nga koha e Maradonës. Napoli është në krye të Serie A me 12 pikë pas katër javësh dhe ndan vendin e parë me Romën. Milani, renditet në vend të 14-të dhe ka grumbulluar vetëm 4 pikë në po kaq ndeshje.

/Ora News.tv/