S'ka "tym të bardhë" nga Kosova

As takimi i së enjtes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk solli ndonjë rezultat për arritjen e marrëveshjes për formimin e qeverisë. Të dy udhëheqësit Kurti e Mustafa dolën nga ndërtesa e Kuvendit, por asnjëri prej tyre nuk foli për mediat. Vetë para takimit, Mustafa tha se palët po mundohen të arrijnë në një emërues të përbashkët.

Ka përfunduar takimi që zgjati rreth dy orë mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas Kosovapress-it, mësohet se të dy udhëheqësit kanë rënë dakord për të vazhduar takimet.

Të dy udhëheqësit Kurti e Mustafa dolën nga ndërtesa e Kuvendit ku u zhvillua takimi, por asnjëri prej tyre nuk foli për mediat.

Para takimit, Mustafa tha se palët po mundohen të arrijnë në një emërues të përbashkët.

Bashkë me Mustafën, e pranishme në takim ishte edhe Vjosa Osmani e Agim Veliu, ndërsa, më pas në ndërtesën e Kuvendit ka hyrë edhe Lutfi Haziri. Kurse, nga Vetëvendosja përveç Albin Kurtin ishte edhe Besnik Bislimi.

Më vonë Lidhja Demokratike e Kosovës tha se të gjitha supozimet dhe hipotezat që qarkulluan në media janë të pavërteta.

Në një njoftim pas takimit LDK-ja tha se në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur një marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje.

Intensifikimi i negociatave dhe takimeve ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, si dhe deklarimet e tyre se janë afër arritjes së një marrëveshjeje, ka bërë që presidenti Thaçi të mos ndërmarrë ndonjë veprim pas skadimit të afatit të tij prej 48 orësh.

Sipas medieve kosovare brenda Presidencës, Thaçi nuk dëshiron të ndërhyjë me vendimmarrjen e tij në rrjedhën e negociatave.

EMISIONET