Moska agresive në Ballkan? Karpushin për Ora News: Imagjinatë e Perëndimit
Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, është shprehur se marrëdhëniet mes Moskës dhe Tiranës janë në nivele minimale.
Përfaqësuesi politik i Kremlinit në një intervistë për Ora News, tha se dëbimi sipas tij i paarsyetuar i dy diplomatëve rusë ndikoi edhe më keq në këtë gjendje.
I pyetur mbi ftesën e Presidentit amerikan Donald Trump për një rikthim në G7, Karpushin u shpreh se Moska nuk do ti lutet askujt për të zënë vendin e saj nga një tryezë e cila nuk është larguar kurrë.
Ambasadori rus thekson se Perëndimi ka tentuar të sabotojë edhe Botërorin e Futbollit që po zhvillohet në Rusi.
Akuzat për një Rusi agresive në Ballkan, Karpushin i konsideron një imagjinatë të Perëndimit.
Në mbyllje Ambasadori u shpreh se Rusia është gjithmonë e gatshme për të përmirësuar raportet ekonomike dhe tregtare me Shqipërinë, për ti dërguar në të njëjtin nivel me bashkëpunimin kulturor.
Intervista e plotë e Ambasasdorit rus për Ora News
Xhoi Malësia: Përshëndetje zoti.Ambasador, ju falenderoj që pranuat këtë intervistë për Rtv Ora News.
Aleksandër Karpushin: Edhe unë dua t’ju falënderoj juve dhe televizionin tuaj për interesin e vazhdueshëm për marrëdhëniet Rusi-Shqipëri, pasi për ne është shumë e rëndësishme t’ia përcjellim publikut shqiptar këndvështrimin tonë mbi çështjet aktuale.
Xhoi Malësia: Zoti Ambasador, më datë 12 qershor u festua Dita e Rusisë. Cila është simbolika e saj? Si festohet kjo ditë?
Aleksandër Karpushin: Dita e Rusisë momentalisht është festa jonë më e rëndësishme shtetërore. Është relativisht e re. Zyrtarizimi i saj është lidhur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe fillimin e reformave rrënjësore në vendin tonë. Në atë kohë u realizuan transformime në të vërtetë radikale, të cilat ishin shumë të vështira dhe në disa raste dramatike për shtetin dhe popullin.
Por, pavarësisht nga vështirësitë e tranzicionit, si rezultat i këtyre transformimeve tërësore ka lindur një shtet me një sistem krejtësisht të ri politik, ekonomik dhe shoqëror, me një ekonomi të bazuar në parimet e tregut. Për një periudhë jo shumë të gjatë Rusia ka arritur të rindertojë ekonominë e saj të shkatërruar pothuajse plotësisht pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik, të shënojë suksese mbresëlënëse në të gjitha sektorët dhe ta forcojë në mënyrë të besueshme sovranitetin dhe kapacitetet e saj mbrojtëse. Siç u shpreh Presidenti Vladimir Putin, ne i kemi përcaktuar me qartësi interesat tona kombëtare, i kemi bërë të ditura dhe po i mbrojmë ato me vendosmëri.
Pra, ditën e 12 qershorit mund ta quajmë me plot gojën “ditëlindja e Rusisë së rinovuar”, e cila shënoi fillimin e fazës së re të historisë së saj si një shtet demokratik i bazuar në liritë civile dhe sundimin e ligjit.
Në këtë ditë në mbarë vendin organizohen shumë aktivitete festive, si koncerte, festivale rinore, gara sportive, etj. Presidenti i Rusisë akordon në Kremlin çmimet dhe dekoratat shtetërore, ndërkohë që festimet më të mëdha mbahen në Sheshin e Kuq të Moskës dhe përfundojnë me fishekzjarrë spektakolarë. Në ambasadat e Rusisë jashtë shtetit zhvillohen pritje diplomatike me rastin e festës.
Xhoi Malësia: Presidenti amerikan Donald Trump kërkoi rikthimin e Rusisë në G7, por kjo ide kundërshtohet nga pjesa tjetër e vendeve të këtij grupimi. A do përpiqet Rusia të lobojë për kthimin në G7 duke qenë se ka mbështetjen e Uashingtonit?
Aleksandër Karpushin: Presidenti Putin e ka komentuar tashmë deklaratën e Donald Trump-it, duke theksuar se realisht Rusia s’e ka braktisur kurrë G8. Në verën e 2014 në Soçi të Rusisë duhej të zhvillohej takimi i këtij Grupi. Por kolegët e Presidentit tonë në këtë Grup thjesht refuzuan të vinin në samitin e Soçit. Domethënë Perëndimi bëri një përpjekje për ta izoluar Rusinë në këtë mënyrë.
Siç tregoi koha, ajo përpjekje ka dështuar. Vendi ynë po vazhdon realizimin e interesave të tij ekonomike në bashkëpunim të ngushtë me partnerë të huaj.
Disa nga formate më të shkëlqyeshme janë BRICS-i dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, anëtarët e të cilave, që janë Rusia, Kina, India, Pakistani, Kazakistani, Kirgizistani, Uzbekistani, Taxhikistani, po edhe Brazili dhe Afrika e Jugut, për nga vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë ua kanë kaluar vendeve të G7. Janë organizata me një potencial gjigant, ato përfshijnë gjysmën e popullsisë globale dhe demonstrojnë ritme impresionuese të zhvillimit.
Këshu që, siç e përmendi Presidenti rus, ne do të jemi të lumtur t’i mirëpresim liderët e SHBA-së, BE-së dhe jo vetëm, tek ne në Moskë. Por, nuk kemi aspak ndërmend t’i lutemi dikujt për “rikthimin” e Rusisë në një organizatë, nga e cila vendi ynë nuk është larguar kurrë dhe e cila për nga efikasiteti mbetet pas forumeve të tjera ndërkombëtare.
Xhoi Malësia: Si i vlerësoni raportet ekonomike të Rusisë me Evropën pas tkurrjes së tyre në 2014 me prezantimin e sanksioneve? Cila mund të jetë rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve?
Aleksandër Karpushin: Rusia po u bën thirrje të vazhdueshme partnerëve të saj evropianë për bashkëpunim pragmatik të bazuar në besimin dhe respektin reciprok. Po e bëjmë rregullisht këtë gjë edhe kundrejt Shqipërisë.Megjithatë, në kushtet e sotme kur çështjet ekonomike politizohen në mënyrë të pareshtur, ndërsa sanksionet janë kthyer në një element të domosdoshëm të komunikimit të përditshëm ndërkombëtar, është shumë e vështirë të kemi një bashkëpunim të ndershëm dhe të arsyeshëm.
Siç dihet, sanksionet antiruse të vendosura në vitin 2014 ishin iniciuar dhe faktikisht u ishin imponuar vendeve evropiane nga SHBA-ja (edhe pse në Perëndim preferojnë të mos flasin për këtë). Si pasojë, janë në radhë të parë sipërmarrësit evropianë ata që vuajnë efektin e tyre duke pësuar dëme serioze. Regjimi i sanksioneve nuk i leverdis aspak Evropës, prandaj kohët e fundit në disa vende të BE-së, si Austria, Italia, Gjermania, etj., zërat kritikë bëhen gjithnjë e më të fortë duke kërkuar heqjen e sanksioneve të pajustifikuara dhe të paligjshme.
Forumi Ndërkombëtar Ekonomik i Shën Petërburgut që u zhvillua në maj të këtij viti dhe në të cilin morën pjesë më shumë se 17 mijë njerëz nga 143 vende të botës, përfshirë këtu Presidentin e Francës Emmanuel Macron, drejtoren e FMN-së Christine Lagarde dhe liderë të tjerë, tregoi qartë se logjika e një bashkëpunimi të ndershëm është më e fortë sesa ajo e kufizimeve të pajustifikuara dhe të kundërnatyrshme ekonomike.
Forumi tregoi gjithashtu se forcat e arsyeshme në Evropë dhe kudo në botë duan të dialogojnë me Rusinë. Shumë prej tyre, pavarësisht përpjekjeve të palodhura të mediave perëndimore për të demonizuar vendin tonë, janë të vetëdijshme se heqja e sanksioneve dhe kalimi tek një bashkëpunim i barabartë dhe me respekt të ndërsjellë mund të shërbenin si një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe uljes së tensioneve në arenën ndërkombëtare.
Xhoi Malësia: Cila është qasja e Rusisë kundrejt Ballkanit? Si i përgjigjeni akuzave për ndërhyrje dhe përpjekje për të rritur ndikimin në rajon?
Aleksandër Karpushin: Qasja e Rusisë kundrejt Ballkanit nuk ndryshon aspak nga qasja e saj kundrejt rajoneve të tjera të Evropës: objektivat kryesorë të Rusisë këtu janë ndërtimi i një bashkëpunimi ekonomik me përfitime reciproke dhe ruajtja e lidhjeve të qëndrueshme kulturore dhe humanitare me popujt ballkanikë.
E gjitha kjo patjetër që vlen edhe për Shqipërinë. Çdo spekulim tjetër lidhur me “planet agresive” apo “orekset ekspansioniste” të Rusisë nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e një strategjie të madhe të Perëndimit për të portretizuar Rusinë si një armik imagjinar të NATO-s dhe BE-së. Puna është që Aleanca Veri-Atlantike, e cila ka kohë që e ka humbur kuptimin e ekzistencës së vet, ka nevojë të madhe për një “kërcënim” të jashtëm për të ruajtur kontrollin e aleatëve dhe për t’i nxitur ata vazhdimisht që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Rolin kryesor në këtë politikë luajnë Shtetet e Bashkuara, ku industrisë ushtarake i duhen vazhdimisht tregjet e shitjes së produkteve të saj.
Të them të drejtën, ndaj akuzave për ndërhyrje në punët e brendshme, në zgjedhje, referendume dhe Zoti e di se ku tjetër, Rusia ka krijuar një lloj imuniteti. Asnjë spekulim i ri nuk na çudit më, pasi politika e Perëndimit është e qartë si kristali dhe ne nuk ushqejmë prej kohësh asnjë iluzion lidhur me objektivitetin apo drejtësinë nga ana e tij. Për ne gjëja më e rëndësishme është se shumica e njerëzve, përfshirë edhe këtu në Shqipëri, e shohin qartë se fushata mediatike antiruse është e pabazë dhe nuk i marrin seriozisht lajmet e shumta të rreme. Prandaj jam i sigurt se në fund të fundit përmirësimi i marrëdhënieve Rusi-Shqipëri do të jetë i pashmangshëm.
Xhoi Malësia: Në çfarë stadi ndodhen raportet mes Shqipërisë dhe Rusisë? Tirana iu bashkua një lëvizjeje më të gjerë për dëbimin e dy diplomatëve rusë, si shenjë kundërpërgjigje mbi “rastin Skripal”. Gjithashtu, në çfarë niveli janë marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Rusi?
Aleksandër Karpushin: Marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis Rusisë dhe Shqipërisë janë në nivel shumë modest, faktikisht janë në gjendje stanjacioni. Për fat të keq, dialogu i mirëfilltë ndërshtetëror ende mungon.
Dëbimi i pajustifikuar i dy diplomatëve tanë natyrisht që erdhi si një faktor më shumë për të përkeqësuar axhendën tonë dypalëshe, edhe ashtu jo shumë të gëzueshme.
Këtë hap jomiqësor dhe të motivuar politikisht ndaj vendit tonë e shohim si një dëshmi të qartë se tek pala shqiptare mungon vullneti real politik për t’u afruar me Rusinë. Kuptohet se ne nuk mund të biem dakord me një qasje të tillë.
Siç duket, ne kemi të gjitha kushtet për të sistemuar një bashkëpunim të vërtetë bilateral. Aq më tepër se pavarësisht të gjitha vështirësive, kemi akoma kontakte mjaft të mira humanitare dhe kulturore. Vijon me sukses bashkëpunimi ynë në fushën e arsimit. Çdo vit pala ruse u akordon falas të rinjve shqiptarë bursat për në universitetet e Rusisë. Këtë vit kemi dhënë 50 bursa, që është një rekord absolut.
Po ashtu, Ambasada jonë vazhdon promovimin aktiv të gjuhës ruse në Shqipëri: me mbështetjen e Fondacionit “Bota Ruse”, në Tiranë janë hapur dhe vazhdojnë të funksionojnë kurset pa pagesë të gjuhës ruse. Një rëndësi të veçantë i kushtojmë popullarizimit të kulturës ruse.
Muajt e fundit kemi organizuar në Shqipëri disa aktivitete shumë të bukura me artistët tanë, përfshirë këtu koncertet e Korit Sinodal të Moskës dhe të ansamblit folklorik “Vertograd”.Sot angazhimi ynë parësor është t’i çojmë shkëmbimet tona ekonomike në nivelin e atyre kulturore. Për momentin, në këtë angazhim na pengon shumë qëndrimi i Tiranës në favor të sanksioneve antiruse të BE-së.
Në qoftë se ky qëndrim do të rishikohet, ne do të mund të hapim rrugën drejt heqjes së masave kufizuese të Rusisë ndaj Shqipërisë, të cilat janë miratuar në bazë të parimit të reciprocitetit dhe ndalojnë importin në vendin tonë të produkteve bujqësore dhe ushqimeve nga Shqipëria. Pra, nga pikëpamja e mendimit praktik, heqja dorë e Shqipërisë nga sanksionet do të ishte ekonomikisht e leverdishme, ndërsa efekti i tyre dhe pamundësia e eksporteve bujqësore drejt Rusisë i sjell humbje vendit tuaj.
Xhoi Malësia: Më datë 14 qershor ka nisur Kampionati Botëror i Futbollit, i cili këtë edicion zhvillohet në Rusi. Si është përgatitur Rusia për këtë eveniment? A besoni se sporti i sjell vendet edhe më pranë?
Aleksandër Karpushin: Kampionati Botëror në Rusi është me të vërtetë një ngjarje madhështore, të cilën po e ndjekin me shumë vëmendje të gjithë të apasionuarit e futbollit. Vendi ynë është kthyer për një muaj në një qendër tërheqëse për njerëzit e mbarë botës. Këtij turneu i parapriu një punë shumë e madhe përgatitore.
Kemi ndërtuar stadiume të reja, kemi përmirësuar infrastrukturën sportive dhe atë të transportit. Ndeshjet bëhen në 12 arena sportive në 11 qytete të Rusisë. Për herë të parë Kupa e Botës po zhvillohet në dy kontinente, në Evropë dhe Azi, nga Kaliningradi në perëndim deri tek Jekaterinburgu në lindje.
Kemi krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për qëndrim të këndshëm të mysafirëve të Kampionatit. Të gjithë tifozëve të huaj u është krijuar mundësia për të hyrë në Rusi pa vizë gjatë ditëve të turneut. Kemi marrë edhe masa shteruese për të garantuar sigurinë e spotistëve dhe spektatorëve.
Që në ditët e para të kësaj feste sportive kemi parë që sporti i afron popujt dhe shtetet. Edhe këtu në Shqipëri, megjithëse kombëtarja juaj për fat të keq nuk merr pjesë në Botëror, interesi ndaj ndeshjeve që luhen në Rusi është i jashtëzakonshëm.
Radio Televizioni Shqiptar ka të drejtat ekskluzive për transmetimin e Kampionatit, çdo ditë nëpër studiot televizive bëhen debate dhe analizat e ndeshjeve, gjë që është shume e vlefshme dhe interesante. Pra, aktualisht të gjithë fansat e sportit janë të bashkuar nga pasioni i tyre ndaj futbollit.
Përpjekjet e disa vendeve perëndimore për të organizuar një bojkot ndërkombëtar të Kampionatit kanë dështuar. Rusia mirëpret këto ditë dhjetëra mijëra vizitorë dhe tregon nivelin e lartë organizativ. Ne jemi kundër politizimit të eventeve sportive dhe jemi besimplotë se do t’ia arrijmë qëllimit përfundimtar të Botërorit: Rusia do ta fuqizojë imazhin e saj si një vend i hapur dhe mikëpritës, i cili jep një kontribut përcaktues në forcimin e paqes dhe mirëkuptimit në arenën ndërkombëtare.
Dhe për sa i përket ndeshjes së parë Rusi – Arabi Saudite, ku përfaqësuesja jonë shënoi një fitore mresëlënëse, ajo patjetër që erdhi si një dhuratë fantastike për të gjithë tifozët rusë, po edhe si një spektakël i vëretë për të gjithë të apasionuarit e futbollit. Duhet të pranojmë se në prag të Botërorit Rusia nuk ka hyrë asnjëherë tek favoritet e turneut. Edhe vetë tifozët në Rusi ishin skeptikë ndaj ekipit tonë. Por kjo fitore e fundit na solli shumë frymëzim dhe tani shpresojmë që kombëtarja jonë të tregojë në këtë Kampionat një rezultat më të lartë sesa pritej.
Xhoi Malësia: Faleminderit...
Aleksandër Karpushin: Faleminderit dhe juve. Nga ana ime dëshiroj t’i uroj suksese kombëtares shqiptare, për të cilën, sa herë që luan ndonjë ndeshje, ne në Ambasadë bëjmë tifo.