Komisioneri europian për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulos, u bëri thirrje krerëve të BE-së që të tregohen të kujdesshëm me Ballkanin. Në prag të vendimit përfundimtar për bisedimet e pranimit, ai paralajmëroi se Ballkani mund të ballkanizohet sipas mënyrë së vjetër, duke nënkuptuar këtu luftërat në rajon.

Një ditë pas Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën një vendim unanim për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, komisioneri për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulos, bëri thirrje për kujdes me Ballkanin.

“Vendimi i Komisionit Europian është shumë i qartë në lidhje me të dy vendet, ato i kanë plotësuar të gjitha kërkesat. Tani dua të bëj edhe një koment politik. Si një njohës i mirë i rajonit, dua të them: Mos e lini Ballkanin të ballkanizohet sipas mënyrës së vjetër", tha Avramopulos në një konferencë shtypi në Bruksel.

Thirrja e tij pason edhe atë të socialistëve europianë që i paralajmëruan krerët e BE-së për destabilizim të rajonit.

Krerët e BE-së druhen se vakumi që mund të krijojë mos sigurimi i perspektivës europiane mund të mbushet nga fuqi të tjera, si Rusia, Kina apo dhe Turqia.

Vendimi për bisedimet e pranimit do të merret tani nga krerët e qeverive dhe të vendeve të BE-së gjatë takimit të Këshillit Europian më 17 dhe 18 tetor. 

/Ora News.tv/