Ministria e Mbrojtjes për dhunën në punë: Shqipëria nuk ka të dhëna konkrete për rastet

Ministria e Mbrojtjes për dhunën në punë: Shqipëria nuk

Rreth 40 për qind e grave dhe vajzave në Forcat e Armatosura në vendet më të emancipuara raportojnë se kanë përjetuar një formë ngacmimi ose dhune, por Shqipëria nuk ka asnjë shifër konkrete në lidhje me këtë fenomen. Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë politika për të parandaluar këto raste, por edhe për të nxitur denoncimin e tyre.

Sipas raporteve të NATO-s edhe në vendet më të emancipuara  dhuna në ambientet e punës në FA është prezent tek 38-40% e femrave.

Me lançimin e politikave për luftën kundër këtij fenomeni ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cilësoi këtë proces si një nga gurët themelorë të emancipimit të Forcave të Armatosura shqiptare.

Olta Xhaçka: Kjo paketë përbën një nga gurët e themelit të transformimit të Forcave të Armatosura, për t’i kthyer ato në forcën moderne, të emancipuar. Politikat dhe procedurat kundër ngacmimit dhe ngacmimit seksual në vendin e punës në administratën publike kontribuojnë në një mjedis të sigurt pune. Dhuna, ngacmimet seksuale, janë për fat të keq një fenomen që godet edhe forca të armatosura shumë më moderne e shumë më të disiplinuara e profesionale se FA shqiptare. FA sot është një organizatë që ndryshon si nata me ditën nga ato vite. Kemi një forcë moderne, që po evoluon e profesionalizohet nga dita në ditë. Jam krenare të pohoj që trendi i viteve të fundit i përfshirjes së grave dhe vajzave është në kahun e duhur.

Përfaqësuesja e përhershme e PNUD në Shqipëri tha se gjatë vitit 2018 gjysma e grave kanë përjetuar një prej formave të dhunës.

Limya Eltayeb: Në vitin 2018 u realizua nga INSTAT dhe OKB një sondazh për dhunën e grave në Shqipëri. Të dhënat treguan se 50% e grave në Shqipëri ka përjetuar një formë të dhunës, ndërsa 21% e tyre janë hasur më këtë fenomen në ambientet e punës.

“Edhe një armë nuk mund të më mbrojë” është një nga sloganet më domëthënës të këtij takimi.

Synimi i këtij projekti është të parandalojë çdo lloj ngacmimi, dhe masat që duhet të merren në raste të tilla.

Gjatë takimit pjesëmarrësit bënë thirrje për të denoncuar çdo lloj ngacmimi dhe dhune.

EMISIONET