Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias i ka dërguar një mesazh të qartë autoriteteve shqiptare për të përfunduar sa më shpejt hetimet për vrasjen e ekstremistit Kostandin Katsifas në Bularat të Gjirokastrës në nëntor të vitit të kaluar.

"Ne ia kemi sqaruar palës shqiptare që hetimet përkatëse duhet të përfundojnë menjëherë dhe të publikohen sa më shpejt të jetë e mundur, pa vonesë të mëtejshme, në mënyrë që të hedhin dritë mbi të gjitha aspektet," tha diplomati grek, duke e lidhur ngjarjen me perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Më tej ai shton se "Ministria e Jashtme Greke ka treguar dhe vazhdon të tregojë seriozitet dhe përgjegjësi në trajtimin e çështjes së rëndësishme të Katsifas. Në mënyrë sistematike informon dhe sensibilizon partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim, si dhe çdo zhvillim që ndikon negativisht te qytetarët tanë në Shqipëri ".

Dendias vë në dukje vonesën e gjatë duke theksuar se "përfundimi i ndjekjes penale të çështjes së vrasjes së  Katsifa është vonuar në mënyrë të konsiderueshme.

Ministri i Jashtëm Grek, përfundon duke thënë se respektimi i të drejtave të minoritetet në Shqipëri nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet dypalëshe Greqi-Shqipëri, por edhe më tepër me perspektivën evropiane.

Deklaratat e ministrit të Jashtëm greke u bënë në një përgjigje dërguar Parlamentit grek për këtë çështje.

/Ora News.tv/