Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi sot bashkëbisedim, nëpërmjet një video-konference, me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, Zëvendëspresidentin ekzekutiv, z. Guy Clausse, Sekretaren e Përgjithshme, znj. Sneska Quaedvlieg-Michailovic, dhe anëtarin e bordit, Profesor Paolo Vitti.

Presidenti Meta i falënderoi për angazhimin dhe vëmendjen që “Europa Nostra” ka treguar ndaj promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë.

Duke u ndalur në çështjen e Teatrit Kombëtar, Presidenti Meta e falenderoi “Europa Nostra” për mbështetjen krah “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” në mbrojtje të këtij kompleksi dhe gjithë zonës historike të Tiranës.

Presidenti Meta theksoi se shembja e paligjshme e Teatrit Kombëtar është çështje kushtetuese, e trashëgimisë historike dhe identitetit kombëtar, tashmë edhe një çështje europiane.

Në këtë kontekst u ra dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar mbi këtë çështje dhe informimin e mëtejshëm të niveleve më të larta europiane.

“Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet. Teatri Kombëtar ishte dëshmori i parë i Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, por demokracia dhe kultura europiane do fitojë”,  u shpreh ndër të tjera anëtari i bordit të “Europa Nostra”, Profesor Paolo Vitti.

“Nga sot më konsideroni edhe mua anëtarin më të ri të ‘Europa Nostra’ “, u shpreh Presidenti Meta.

/Ora News.tv/