Kushtetuesja shqetëson DASH-in

Kushtetuesja shqetëson DASH-in

Kriza Kushtetuese në Shqipëri ka detyruar të dërguarin e posaçëm të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Mathew Palmer të telefonojë Presidentin e Republikës Ilir Metën.

Presidenca bën me dije se ky komunikim ka zgjatur për rreth 30 minuta ku Kreu i Shtetit ka shprehur qëndrimet e tij për përplasjen institucionale, kushtetuese dhe politike.

Pak orë pas kësaj bisedë, herët në mëngjes, ambasada amerikane në Tiranë propozoi që çështja e Gjykatës Kushtetuese ti dërgohet për opinion Komisionit të Venecias.

Sipas zyrës diplomatike përparim i nevojshëm ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga Kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi.

"Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre intepretimeve të debatuara. Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor."

Zyra e Presidentit Meta e sheh të panevojshme propozimin e Ambasadës amerikane për të marrë opinionin e Venecias për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllari nga ana e Presidentit.

"Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë. "Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Laë” si çdo vend demokratik"."Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!"

Zëdhënësi i Presidentit Meta shprehet se është gati ta publikojë bisedën e plotë me zotin Palmer, pasi të marrë ok nga ambasada amerikane në Tiranë.

"Të dashur kolegë gazetarë, Interesimit tuaj për një lajm, që siç më vutë në dijeni, ja u ka konfirmuar z.Guri Lekloti dhe ju ka sugjeruar t’ja u konfirmoj edhe unë, ju sqaroj :
Po, është e vërtetë që mbrëmjen e djeshme ka patur një bisedë telefonike rreth 30 minuta mes Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer, me kërkesë të këtij të fundit. 

Qëndrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese. Megjithatë nëse z.Lekloti, bie dakord me ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe na autorizon ta publikojmë të plotë transkriptin e kësaj bisede telefonike, ne jemi gati ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar. 

Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur! Konfirmojmë se marrëdhëniet tona strategjike me SHBA janë të forta, të qëndrueshme dhe transparente, si asnjëherë" shkruan zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, në facebook.

EMISIONET